Në Shtëpinë e Oficerëve dhe Kinemanë Manaki në Manastir, sot dhe nesër mbahet Forumi i UNESCO-s – Qytetet e filmit krijues, me temë “Forcimi i rolit të gruas në mediat audiovizive”.
Në hapjen e forumit mori pjesë edhe zëvendësministri i Kulturës Daim Luçi, i cili në fjalën e tij theksoi se diskutimi ofron një mundësi të shkëlqyer për të diskutuar një çështje aktuale siç është barazia gjinore në mediat audiovizive.
“Edhe pse thuhet se arti i mirë nuk ka gjini, megjithatë është domethënëse hapja e këtij diskutimi, sepse kur përmendet industria e filmit, shpesh mendohet si një “botë mashkullore”. Tek ne, gratë autore me punën e tyre i ndryshojnë këto stereotipe dhe vitet e fundit janë një nga promotoret më të mëdha të kulturës maqedonase në botë”, tha zëvendësministri Luçi.
Ai shtoi se kemi fitues të shumtë të çmimeve të njohura nëpër festivale të filmit në botë, që është një respekt i madh dhe shprehu besimin se ky trend do të vazhdojë edhe në të ardhmen, dhe gratë autore do të fitojnë vendin që meritojnë dhe do të kenë mbështetje edhe më të madhe nga sektori i industrisë së filmit.
Pjesëmarrja e vendit tonë dhe Manastirit në rrjetin e UNESCO-s të qyteteve kreative për film, tha zëvendësministri është me rëndësi jetike për vlerësimin e kulturës si vend promovimi dhe hapjen e shumë mundësive të reja për bashkëpunim në artin filmik.
Duke përgëzuar organizatorët, Shoqata e Artit Filmik “Qendra për Film” nga Manastiri, Luçi theksoi se Ministria e Kulturës në vazhdimësi njeh dhe vlerëson përpjekjet dhe përkushtimin e tyre për rritjen e bashkëpunimit mes qyteteve në fushën e artit filmik.
Në kuadër të programit të Forumit sot u shfaqën filmat artistikë “Kthimi” i regjisorit Kastriot Abdili dhe “Shansi i dytë” i regjisores Maria Xhixheva.
Gjatë forumit, u përfshinë përfaqësues të rangut të lartë të qyteteve krijuese për filmin nga rrjeti i UNESCO-s – Terasa, Llogj, Potsdam, Valladolid, Gdinja, Sofja, si dhe përfaqësues nga institucionet përkatëse vendase, sektorët joqeveritar dhe të biznesit që punojnë në fushën audiovizive, media si Agjencia për film, Agjencia për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele, Radio Televizioni i Maqedonisë, televizioni “Telma” dhe të tjera.
Forumi është i një rëndësie të jashtëzakonshme për qytetin e Manastirit, si anëtar i barabartë i qyteteve krijuese për film nga rrjeti i UNESCO-s që nga viti 2015, dhe është një nga 21 qytetet që janë pjesë e këtij grupi filmik të UNESCO-s, i vetmi në vend dhe një nga të paktat në rajon së bashku me Sofjen dhe Sarajevën. Rrjeti është një partner kyç i UNESCO-s.