Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Llutkov sot ka pasur takim me ambasadorin evropian David Geer dhe përfaqësues nga delegacioni i BE-së në Shkup.
Në takim, ministri Llutkov shprehu mirënjohje për bashkëpunimin me delegacionin e BE-së në fushën e kulturës, si dhe për mbështetjen në proceset integruese evropiane si një nga prioritetet më të rëndësishme të Qeverisë dhe Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit.
Të dy bashkëbiseduesit theksuan se bashkëpunimi me delegacionin e BE-së, si partneri më i rëndësishëm i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, do të vazhdojë edhe në të ardhmen në fushën e mbështetjes së mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, shkëmbimit të ideve, vlerave dhe traditave, që luajnë rol thelbësor në ndërtimin e hapësirës së përbashkët evropiane.
Në këtë kontekst, ministri Llutkov dhe ambasadori evropian Gir u pajtuan se integrimi i Ministrisë së Kulturës dhe sektorit të turizmit është i një rëndësie të veçantë. Kjo do të kontribuojë në zhvillimin e industrisë kreative dhe kulturore, që sigurisht është një nga prioritetet e Ministrisë.
Ambasadori Gir mbështeti politikat e reja të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe programin “Evropa kreative 2021-2027”. Është mirëpritur edhe bashkëpunimi për organizimin e takimit ministror të ministrave të Kulturës dhe Turizmit dhe të Arsimit dhe Shkencës, i cili në partneritet me BE-në duhet të realizohet në shtator të këtij viti.