Me duartrokitje të mëdha, në Operën dhe Baletin Kombëtar të Sofjes, është pritur mbrëmë shfaqja e operës “Nabuko” nga Xhuzepe Verdi në interpretimin e Operës dhe Baletit Kombëtar të Maqedonisë.
Ministri i Kulturës dhe i Turizmit, Zoran Ljutkov, i cili e ndoqi shfaqjen së bashku me kolegun e tij bullgar Najden Todorov, përgëzoi ansamblin maqedonas. Ljutkov shprehu kënaqësinë e tij për bashkëpunimin mes shtëpive më të mëdha muzikore-skenike të të dyja vendeve, i cili po zhvillohet në baza reciproke dhe paralajmëroi zhvillimin e bashkëpunimit, pikërisht, duke investuar në produksione të mëdha. “Kultura është pjesa ku tejkalohen të gjitha problemet, prandaj do të vazhdojmë ta zhvillojmë bashkëpunimin në kulturë dhe turizëm, sektorë që mund të sjellin përfitime ekonomike për të dyja vendet”, tha ministri Ljutkov.
Me vizitën e ansamblit maqedonas, u hap zyrtarisht dhe sezoni i ri i Operës së Sofjes. Shfaqjen e ndoqën dhe kryetarja Gordana Siljanovska-Davkova dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Muçunski, të cilët së bashku me ministrin e Kulturës dhe të Turizmit, Ljutkov, përfaqësuan delegacionin maqedonas në Sofje, me rastin e vizitës së Operës dhe Baletit Kombëtar.
Duartrokitjet disaminutëshe dhe vlerësimet pozitive i mori ekipi i performancës maqedonase “Nabuko” nën dirigjimin e maestral të Bisera Çadlovskës, dhe rolin titullar e interpretoi Marjan Jovanovski. Regjia është e Renato Bonajuto (Itali), skenografia dhe kostumografia janë të Flavio Arbeti dhe Artemio Kabasi nga Italia, koreograf Maja Mitrovska-Bogojevska, mjeshtër i koncertit, Jane Bakevski, mjeshtre e korit, Jasmina Gjorgjeska, ndërsa projektues i ndriçimit, Milço Aleksandrov.
Rolin e Abigaile e luajti, Zlata Toshevska-Dimovska, rolin e Fenenës, Nikolina Janevska, rolin e Ismailit, Zoran Sotirov, dhe rolin e Zaharies, Igor Durlovski.
Shfaqja e mbrëmshme, e një prej veprave më të njohura të Xhuzepe Verdit, konsiderohet si hapje spektakolare e sezonit të Operës dhe Baletit të Sofjes, me produksionin maqedonas “Nabuko”.
Shfaqja në Shkup është caktuar më 21 shtator në skenën e Operës dhe Baletit Kombëtar, ora 20:00.