Në Muzeun e Artit Bashkëkohor – Shkup sot, më 10 qershor, nga ora 10 deri në 17:00, në kuadër të programit interdisiplinor të Muzeut, do të mbahet simpoziumi ndërkombëtar me titull “Toka që vazhdimisht ri-mendohet – udhë përshkrim kreativ gjeofilozofik”.
Siç informojnë nga MAB, qëllimi i projektit është krijimi i kushteve për shkëmbim cilësor të njohurive, bashkëpunim dhe prodhim të angazhuar artistik, si mjete thelbësore për gjenerimin e një qëndrimi të angazhuar ndaj ndryshimeve klimatike dhe sfidave mjedisore.
Ndër pjesëmarrësit do të jenë: Toshija Ueno, profesor në Departamentin e Studimeve Transkulturore në Universitetin Wako në Tokio, Japoni; Aleks Taek-Guang Lee, profesor në Universitetin Kiung Hee në Korenë e Jugut; Kristina Koskentola, artiste vizuale nga Finlanda; Rik Dolfin, Profesor Universitar nga Utrecht, Holandë; Irena Çaurilska, profesoreshë universiteti nga Gdansk, Poloni; Tihomir Topuzovski, u.d. drejtor i MAB-së – Shkup dhe të tjerë. Në kuadër të simpoziumit janë planifikuar prezantime të studentëve nga Universiteti i Utrehtit në Holandë dhe nga Fakulteti i Arteve të Bukura nga Shkupi.
Target grupi i simpoziumit janë gjeneratat e reja të artistëve, ekspertëve, studiuesve, studentëve, aktivistëve dhe anëtarëve të organizatave joqeveritare në vend.