Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot në seancë solemne u shënua 60 vjetori i tërmetit katastrofik që e goditi Shkupin më 26 korrik 1963.
Në seancën ku morën pjesë ministrja e kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska, përfaqësues të lartë të shtetit, deputetë, përfaqësues të Kryqit të Kuq, përfaqësues të bashkësive fetare, trupi diplomatik iu bë homazhe familjeve të mbijetuara nga kjo tragjedi dhe iu bë përulje viktimave.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në fjalën e tij përshëndetëse para të pranishmëve tha se “Shkupi ka bashkuar njerëzit, institucionet, organizatat ndërkombëtare dhe njerëzimin në përgjithësi rreth një qëllimi.
“Tërmeti e vendosi Shkupin në piedestal si qytet – simbol i solidaritetit, epitet që të gjithë e kujtojmë me respektin e duhur, sepse në çdo cep të këtij qyteti të bukur hasim një vepër që përkujton solidaritetin ndërkombëtar si dhe përkujtim për të gjithë ne sa të dobët dhe të pafuqishëm jemi kur jemi vetëm. Një përkujtim se sa shumë do të thotë një dorë ndihme, një ndihmë e ofruar, një strehë e ngrohtë dhe një vakt në kohë kur ke humbur gjithçka dhe ke mbetur krejtësisht vetëm me jetën tënde të zhveshur… Prandaj është e rëndësishme të shënosh këtë ditë, që të mos harrohet, të jetë një udhërrëfyes për pjekurinë tonë si vend, sado i vogël, dhe fisnikërimin tonë si qenie njerëzore. Solidariteti, bashkëpunimi dhe uniteti rreth qëllimit përfundimtar kontribuojnë në reduktimin e fatkeqësive. Ne ia dolëm, sepse ishim bashkë! Dhe ne do të vazhdojmë të jemi qyteti i solidaritetit, qyteti që u ngrit nga hiri dhe u bë monument i njerëzimit! Le të mos ndodhë më kurrë! Për shumë momente të lumtura për Shkupin tonë të bukur!”, shtoi Xhaferi.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski në fjalimin e tij në seancën solemne theksoi se “sot kujtojmë të vdekurit, ngushëllojmë familjet e tyre që ende ndjejnë dhimbjen, por kujtojmë edhe guximin e të gjithë atyre që nga kaosi dhe rrënojat e 26 korrikut , ndihmuan në lindjen e Shkupit të ri”.
“Shkupi u ngrit mbi themelet e rrënojave dhe të shkatërruara, lindi një Shkup i ri, modern, i cili futi frymë dhe energji të re, kozmopolitane në të cilën bashkohen e vjetra dhe e reja, bashkëkohorja dhe tradicionalja. Ajo fuqi e transformimit, një ide për një të nesërme më të mirë, nuk do të pushojë kurrë të na frymëzojë. Shkupi është bërë simbol i solidaritetit botëror, i bashkimit dhe i sakrificës së madhe të të gjithë atyre që ndihmuan në ndërtimin e qytetit, i cili mori një pamje të re arkitekturore”, theksoi Kovaçevski
Kryeministri Kovaçevski theksoi se Shkupi sot njihet si qyteti i solidaritetit, që nuk është frazë, por është kod i Shkupit.
“Tërmeti katastrofik i Shkupit, i cili është skalitur thellë në të kaluarën tonë, është një mësim dhe një mesazh për ne që të vazhdojmë të bashkuar për të mbrojtur dhe ndërtuar shoqërinë tonë mbi themelet e solidaritetit, sakrificës dhe bashkimit. Le të ndërtojmë një shoqëri të bazuar në vlerat demokratike, kujdesin për të tjerët, ndjeshmërinë dhe humanizmin, vlera që do t’ua përcjellim brezave në vijim. Bashkësia, respekti për të tjerët dhe dhënia e dorës kudo dhe për të gjithë duhet të jetë motivi i ynë, si në plan privat ashtu edhe në planin e punës. Shkupi është kryeqyteti i ynë. Le ta ushqejmë, ta mbrojmë dhe të kujdesemi për të dhe për vendin tonë siç kanë bërë paraardhësit tanë para nesh, dhe brezat pas nesh do të vazhdojnë”, tha kryeministri Kovaçevski në fjalimin e tij në seancën solemne në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.