Ka ndërruar jetë Kostadinka Velkovska, aktore e teatrit, televizionit dhe filmit me origjinë maqedonase. Ajo la pas role të shumta televizive dhe filmike.
Ajo ka lindur në vitin 1948 në Shkup, prej nga u nis në Zagreb në vitin 1968 për të studiuar aktrim. Pas përfundimit të studimeve, aktroi dy vjet në teatrin e Dubrovnikut dhe më pas erdhi në Zagreb në teatrin “Kerempuh”, ku qëndroi deri në pension.
Velkovska luajti në serialet “Dashuri e ndaluar”, “Fqinjët e përjetshëm”, “Klinika jonë e vogël”, “Mos u dorëzo, Nina”, “Dar-mar”, “Bastarda dhe princeshat”… Ajo luajti edhe role në filmat: “Procesi i bombës”, “Bravo maestro”, “Bëma e fundit e resë diversante”, “Nyja”, “Fantazma e gjyshes Ilonka” e shumë të tjerë.
Roli i saj i parë televiziv ishte në serialin “Qyteti i papushtuar”, TV Zagreb i vitit 1982 ndërsa roli i fundit i saj ishte roli i Rozalia Crnçeviq në serialin “Dar-mar” i vitit 2021. Ajo ishte gjithashtu interpretuese e këngëve në gjuhët kroate, maqedonase, frënge, gjermane dhe italiane. Në vendin tonë ka qenë e ftuar në Teatrin e Dramës në vitin 2018 me shfaqjen “Shenjtori i errësirës”, ku ka luajtur personazhin e Nënë Terezës.