Një pjesë e elitës artistike botërore, nga fusha e muzikës klasike, teatri, në muajin e gjysmë të ardhshëm do të jetë sërish në Ohër. Fillojnë 40 ditët e emocioneve që sjell Festivali “Vera e Ohrit” edhe në këtë edicion të 64.
Nderin dhe privilegjin e hapjes së Festivalit këtë vit e ka pasur violinisti me famë botërore nga Lituania, Julian Rachlin, i cili do të performojë sonte në skenën e Teatrit antik së bashku me Orkestrën filarmonike nacionale.
Maestro Rachlin përshkruhet nga kritikët si një nga violinistët më emocionues dhe më të respektuar, një artist që magjeps audiencën në mbarë botën me tingullin e tij jashtëzakonisht të pasur dhe interpretimin mjeshtëror.
Nga data 12 korrik deri më 20 gusht, mbi 500 artistë nga 24 shtete do të parakalojnë dhe do të performojnë në skenat e hapura të Teatrit antik, Dolni Saraj, në oborrin e Kishës së Shën Sofisë, si dhe në vetë Kishën e Shën Sofisë dhe Qendra e Kulturës, dhe dashamirësit e artit klasik do të kenë mundësinë të shijojnë 27 koncerte, gjashtë shfaqje teatrore dhe tre ngjarje në programin shtesë.
Në mesin e ngjarjeve të shumta janë paraparë koncerte të artistëve vendas dyshja e pianos Marija Gjoshevska dhe Sllavica Micovska, pastaj koncerti i Vllatko Stefanovskit në kitarë, i cili shënon 50 vjet karrierë solo, koncerti tradicional i Orkestrës rinore muzikore të Odës si dhe dy koncerte kushtuar kompozitorëve maqedonas, Tomisllav Zografski, Stojçe Toshevski si dhe Goce Kollarovski.
Ndër artistët e huaj që performojnë në programin muzikor janë kitaristi Gerhard Reinbach, pianisti Gary Douglas, violonçelisti Dragan Gjorgjeviq Suzuki me pianistin Andrej Gugnin, Dominik Wagner në kontrabas, këtu është edhe koncerti i Orkestrës simfonike malazeze, Kuinteti Adriatik piano, treshja “Halir” dhe shumë të tjerë. Dita e fundit e programit muzikor është e rezervuar për violonçelistin më të mirë belg Kami Thoma, i shoqëruar nga pianisti Julien Brokal.
Në koncertin e ditëlindjes së festivalit do të performojë grupi salsa “Mercadonegro”.
Ajo që do të shënojë programin e këtij viti janë tri premierat e teatrit – në teatrot vendore në Veles dhe Manastir me shfaqjet “Racin” dhe “Pulëbardha”, si dhe premiera botërore e “KING Lir” në Teatrin Botëror Lit Moon në Santa Barbara, Kaliforni. Janë paralajmëruar shfaqjet teatrale të Teatrit Sovenec nga Maribori me “I pafajshëm” me regji të të famshmit Tomazh Pandur dhe motrës së tij që e përfundoi shfaqjen pas vdekjes së tij, pastaj stand-up-i me aktorin e njohur serb dhe ndërkombëtar Nikolla Gjuriçko, “Një fluturim mbi folenë e qyqes” me Teatrin e Dramës nga Beogradi dhe “Alicia në vendin e frikës” me Teatrin e Dramës Jugosllave po ashtu nga Beogradi.