Zëvendësministri i Kulturës Daim Luçi sot mori pjesë në hapjen e manifestimit “Karsiyaka – Çaşka – Turgutlu 2023” në Karshiakë- Izmir, Republika e Turqisë.
Në hapje të manifestimit, Luçi theksoi se ngjarja është një tjetër konfirmim i miqësisë ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Turqisë.
– Sonte hapim manifestimin “Karsiyaka – Çaşka – Turgutlu 2023”, i cili përmes performancës së artistëve të estradës maqedonase dhe shoqërive kulturore dhe artistike nga komunat e Çashkës, Rosomanit, Kriva Pallankës dhe Gradsko, ndërton urë simbolike me mërgimtarët e Maqedonisë dhe në përgjithësi me popullin mik nga Turqia – tha Luçi.
Ai shtoi se kjo është një mundësi e madhe për të treguar pasurinë e paçmuar folklorike dhe muzikore, si dhe traditën e pasur të vendit tonë.
– Me shfaqjen e shoqërive kulturore dhe artistike do të udhëtoni nëpër kulturën origjinale të Maqedonisë, do të dëgjoni meloset maqedonase, do të shihni vallet popullore tradicionale, kostumet unike dhe stolitë shumëngjyrëshe që janë pjesë e trashëgimisë sonë të pasur kulturore dhe gjithë këtë e plotëson tingulli autentik i instrumenteve popullore – tha zëvendësministri Luçi.
– Ky është tjetër konfirmim- shtoi ai – se së bashku mund të ushqejmë dhe avancojmë lidhjet kulturore dhe të bashkëpunojmë në projekte me interes të përbashkët, për të mirën e të gjithëve.
Në fund, zëvendësministri Luçi falënderoi nikoqirët e tij, kryetarët e komunave Karshiakë dhe Turgutlu, si dhe kryetarin e Shoqatës Kulturore dhe të Solidaritetit të Mërgimtarëve të Maqedonisë “MAK – GOČ” nga Izmiri, i cili, në bashkëpunim me kryetarin e Komunës së Çashkës, organizoi këtë manifestim.
– Përshëndes veçanërisht bashkatdhetarët tanë në Izmir dhe Manisa, të cilët janë këtu në numër të madh dhe që ndër vite kanë kontribuar ndjeshëm në përmirësimin e marrëdhënieve mes vendeve tona. Me dëshirën për përjetësinë e lidhjeve të pathyeshme ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Turqisë, ju uroj që sonte të shijoni ngjyrat e folklorit maqedonas, ngjyrat e vendit tonë me diell dhe miqësor”, shtoi Luçi.