“Shkupi – qyteti i feniksit” quhet ekspozita që u hap dje në mbrëmje në Muzeun e Qytetit të Shkupit, e përgatitur me rastin e 60 vjetorit të tërmetit katastrofik që goditi Shkupin më 26 korrik 1963.
Zëvendës-ministri i Kulturës, Daim Luçi, në hapjen e ekspozitës tha se edhe pas 60 vitesh shumë familje shkupjane e kujtojnë në mënyrë të pashlyeshme mëngjesin e 26 korrikut 1963, por kujtojnë edhe solidaritetin, dashurinë dhe optimizmin për rindërtimin e qytetit.
“Pavarësisht se pasojat e tërmetit shihen edhe sot, ngjarja e trishtë shënoi fillimin e zhvillimit të ri, fillimin e urbanizimit të ri, fillimin e vizionit të ri, për të ardhmen e qendrës ekonomike dhe administrative të shtetit. Optimizmi dhe shpresa janë kthyer në këtë qytet dhe bota e mbledhur dhe e bashkuar me besim dhe dashuri të pamasë ndihmoi në ndërtimin e Shkupit të ri, i cili u bë simbol i sakrificës njerëzore, humanizmit dhe solidaritetit”, tha Luçi.
Ai shprehu kënaqësinë e tij që Shkupi ka forcë të freskët që ruan karakterin urban të qytetit përmes artit, e ajo është skena e pavarur që ndërton jetën unike të Shkupit përmes programit multimedial të sotëm me ekspozitë, shfaqje filmash, muzikë dhe argëtim. Ekspozita tregon historinë e tërmetit katastrofik në Shkup më 26 korrik 1963.
Jeta në qytet menjëherë pas tërmetit dhe gjithçka që do të pasojë në muajt e parë pas fatkeqësisë tregohet në panele dhe përmes objekteve dhe materialeve të ekspozuara në muze. Rubrikë e veçantë i kushtohet manifestimit ndërkombëtar “Takimi i Solidaritetit”, ngjarje jashtëzakonisht domethënëse për qytetin e Shkupit në vitet 1960 të shekullit të 20-të, dhe ngjarjeve të shumta sportive ndërkombëtare të mbajtura në shenjë solidariteti në periudhën nga viti 1963 deri në vitin 1981. Në bashkëpunim me Observatorin Sizmologjik në FMN, USHKM – Shkup, u përgatit kënd sizmologjik ku vizitorët patën mundësinë të shikojnë sekretet e sizmologjisë.
Autore e ekspozitës, e cila do të qëndrojë deri në fund të gushtit, është Zoja Bogdanovska, kuratore-këshilltare historiane në Muze.
Krahas ekspozitës, në kuadër të manifestimit multimedial “Fol për Shkupin” organizuar nga Muzeu i Qytetit të Shkupit dhe në bashkëpunim me platformën “Terapia”, performuan edhe interpretues dhe DJ maqedonas, ndër të cilët Andrej Micajkov, Sonja Ismail dhe Tamara Todevska, e cila shoqëronte orkestrën e Shoqatës së Muzikantëve të Xhazit dhe Artistëve të Lirë, i rikujtuan disa prej evergrinëve më të bukur maqedonas.