Ministri i Kulturës dhe i Turizmit, Zoran Ljutkov, ka pritur në takim shefen e zyrës në Shkup të Ambasadës së Republikës së Lituanisë me seli në Zagreb, Vilma Dambrauskas. Në një atmosferë të këndshme, bashkëbiseduesit konstatuan se ka hapësirë dhe mundësi të hapura për intensifikimin e marrëdhënieve në fushën e kulturës dhe turizmit.
Ministri Ljutkov dhe znj. Dambrauskas shprehën gatishmërinë për të mbështetur aktivitete konkrete që do të ishin pjesë e shënimit të 30 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, e që do të realizoheshin në vitin e ardhshëm.
Në prag të manifestimit Shkupi – kryeqyteti i kulturës evropiane, Dambrauskas ofroi bashkëpunim për të shkëmbyer përvojat lituaneze nga projektet e realizuara në qytetin e Kaunas, i cili në vitin 2022 ishte kryeqyteti evropian i kulturës. Në takim u diskutua për gatishmërinë e të dyja palëve për thellimin e bashkëpunimit në drejtim të shkëmbimit të ansambleve muzikore dhe artistëve reproduktiv, duke hapur mundësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional të muzeve të artit bashkëkohor dhe galerive kombëtare të të dyja vendeve, si dhe hapjen e mundësisë për mbështetjen e përkthimeve të autorëve nga të dyja vendet.