Ka ndërruar Mihaill Renxhov, një nga poetët, prozatorët dhe përkthyesit më të njohur maqedonas. Telegram me ngushëllime familjes i ka dërguar edhe ministri i Kulturës dhe i Turizmit, Zoran Llutkov, i cili ka theksuar se kontributi i tij në zhvillimin dhe promovimin e kulturës maqedonase është vërtet i madh.
“Renxhov posedonte profil unik autori, i cili u la trashëgim brezave të ardhshëm përmbledhje të çmuara poetike dhe vepra të tjera domethënëse, me të cilat i dha pavdekësi poezisë dhe kulturës bashkëkohore maqedonase në përgjithësi. Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij!”, ka shkruar ministri Llutkov në telegramin drejtuar familjes.
Mihaill Renxhov punoi në Bibliotekën kombëtare dhe Universitare “Shën Klimenti i Ohrit” në Shkup si këshilltar për bibliotekari kurse një periudhë të caktuar ishte drejtor i këtij institucioni. Ai ishte anëtar i PEN-Qendrës Maqedonase si dhe i ShShM-së që nga viti 1965.
Është autor i njëzet përmbledhjeve me poezi, ndër të cilat: “Emigranti i zjarrit” (poezi, 1965); “Rritja e natës e fjalës” (poezi, 1967); “Ku në këtë anë” (poezi, 1968, “Dihatje” (poezi, 2013). Përktheu edhe eposin “Gilgamesh”. Përmbledhjen e fundit me poezi “Rrezet” e botoi në vitin 2023.
Renxhov është fitues i shumë çmimeve, ndër të cilat: “11 tetori” dhe “Vëllezërit Milladinov” për librin Nerezi (1982), “Grigor Prliçev” për poezinë “Ai” (1993), “Aco Shopov” për librin “Unë Oksimoroni” (1999), “Njohja e Racinit” për librin “Zahariu dhe tregime të tjera” (2004), “Grigor Prliçev” për poezinë “Paralajmëruesi” (2009), “Vëllezërit Milladinov” për librin “Unë. Elegjitë” (2017).
Në vitin 2022 mori Dekoratën “Shën Nikolla”, i cili u jepet qytetarëve të merituar të lindur dhe të ardhur nga Shtipi.