Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Llutkov, sot ka mbajtur takimin e parë me grupin punues të përbërë nga faktorët që kanë kompetencë në mbrojtjen dhe zgjidhjen e sfidave të përditshme në Çarshinë e Vjetër të Shkupit.
Formimi i këtij trupi punues vjen pas vizitës së fundit në Odën e Zejtarisë dhe në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, ku ministri Llutkov u njoh me problemet e përditshme në këtë kompleks të rëndësishëm monumental.
Grupi i punës i themeluar nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit përfshin Visar Ganiun, kryetar i Komunës së Çairit, Vesella Çestoeva, u.d drejtoe e Administratës për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, Borçe Topukovski, u.d drejtor i Muzeut të Maqedonisë së Veriut, Maria S. Gjorgova, sekretare shtetërore në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit; Davca Spasova, këshilltare në Sektorin për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe Nexhmedin Bushi, përfaqësues nga Oda zejtare e Shkupit.
Në takim u bisedua për gjetjen e zgjidhjeve për tejkalimin e problemeve në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Bashkëbiseduesit diskutuan për mundësitë se si të mundësohet qasje më e lehtë për të gjithë vizitorët në Çarshi si dhe zgjidhje afatgjatë e problemit të parkimit, në mënyrë që të krijohen kushte që ky monument kulture të jetë i arritshëm për të gjithë.
Me kërkesë të zejtarëve dhe pronarëve të dyqaneve në Çarshi dhe në interes të vizitorëve, grupi i punës në bashkëpunim me institucionet kompetente do të shqyrtojë mundësinë që e diela të jetë ditë pune për Çarshinë, duke pasur parasysh se kjo mund të nënkuptojë kontribut në zhvillimin e ekonomisë lokale.