Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Llutkov, sot ka vizituar patundshmërinë e mbrojtur “Hamamin e Vjetër” në Tetovë, e cila është dëmtuar nga stuhia që para dy ditësh e përfshiu këtë zonë.
Gjatë vizitës ai pati takim me drejtoreshën e galerisë së arteve në Tetovë, Besa Dauti, e cila e njoftoi për dëmet e shkaktuara nga stuhia dhe nevojën për ndërhyrje të menjëhershme për riparimin e dëmeve.

Në inspektimin e sotëm morën pjesë drejtorët e Qendrës Nacionale për Konservim, Memet Selmani dhe Administratës për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, Zoran Pavllov, me ekipet e ekspertëve.
Gjatë takimit, ministri Llutkov theksoi se mbrojtja e trashëgimisë kulturore është një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, si dhe e qeverisë së re.

“Pas inspektimit nga shërbimet eksperte nga Administrata për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe Qendra Nacionale për Konservim, në një kohë sa më të shkurtër do të merret një pasqyrë reale e dëmeve dhe do të përcaktohen rrugët për trajtimin sa më të shpejtë dhe më të suksesshëm të pasojave që i la këtë objekt stuhia që përfshiu rajonin e Tetovës”, tha ministri Llutkov.