Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Llutkov, dje në mbrëmje në muzeun kushtuar shkrimtarit shqiptar me origjinë maqedonase, Sterjo Spase, në fshatin Globoçan, Komuna e Pustecit, Republika e Shqipërisë, mori pjesë dhe foli në hapjen e edicionit të 19-të të festivalit “Vera Kulturore Maqedonase”.
Në fjalën e tij, ministri Llutkov theksoi se festivali konfirmon se kultura dhe gjuha që flasim janë më të mëdha dhe më domethënëse se kufijtë që na ndajnë.
– Sot, përmes artit, letërsisë, muzikës dhe të gjitha formave të tjera të shprehjes kulturore, ne ndajmë krijimtarinë dhe talentin e artistëve maqedonas, duke ruajtur vazhdimësinë në zhvillimin dhe promovimin e kulturës maqedonase mes të gjithë banorëve në këtë pjesë të Prespës. Përmes kulturës, përmes çdo imazhi dhe fjale, ne i thyejmë kufijtë dhe i forcojmë lidhjet me njerëzit tanë – tha Llutkov.
Ai shtoi se ky është një tjetër konfirmim i kujdesit për minoritetin maqedonas në Shqipëri dhe i përkushtimit të Qeverisë dhe Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit për të kultivuar kulturën, identitetin dhe traditën maqedonase në këtë rajon ndërkufitar, duke e kthyer atë në destinacion të rëndësishëm për turizmin kulturor.
Ministri Llutkov falënderoi organizatorët – Shoqatën e maqedonasve me origjinë shqiptare “Dielli” dhe Edmond Sotir, kryetarin Kolefski, artistët dhe të gjithë ata, siç tha ai, që me praninë e tyre kontribuojnë që ky festival të jetë një përvojë e vërtet kulturore.
Në hapje të festivalit, të pranishmit patën mundësinë të përcjellin ekspozitën e veprave të skulptorit akademik Sinisha Noveski dhe promovimin e librit “Këndimi tradicional maqedonas në: Prespë, Gorë dhe Gollobërd” të autores Andriana Janevska.
Gjatë festivalit, i cili do të zgjasë deri më 6 qershor, publiku do të mund të ndjekë tre shfaqje teatrale dhe një shfaqje për fëmijë.
Festivali, i cili organizohet nga Shoqata e Maqedonasve me origjinë shqiptare “Dielli”, ka për qëllim mbrojtjen, zhvillimin dhe promovimin e kulturës maqedonase te populli maqedonas në Shqipëri.