Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Llutkov, ka takuar sot ambasadorin e Republikës së Italisë, Andrea Silvestri, me ç’rast është konfirmuar bashkëpunimi i shkëlqyer në fushën e kulturës mes dy vendeve.
Ministri Llutkov shprehu kënaqësinë e tij për aktivitetet që Ambasada Italiane i kryen për thellimin dhe forcimin e marrëdhënieve në kulturë dhe e informoi ambasadorin Silvestri për transformimin e Ministrisë në Ministri të Kulturës dhe Turizmit. Në këtë kuadër, u diskutua për rrugët e bashkëpunimit në të ardhmen dhe mundësitë që hapen në këtë drejtim për lidhjen e ndërsjellë të vendeve, duke përfituar nga përvojat pozitive të Italisë si një vend me turizëm kulturor shumë të zhvilluar.
Në takim u bisedua për përfitimet që ka kultura maqedonase me praktikat mbështetëse nga Republika Italiane për ngritjen profesionale të punëtorëve në institucionet nga vendi ynë në Shkollën Ndërkombëtare të Trashëgimisë Kulturore në Romë.
Në takimin miqësor, ministri Llutkov dhe ambasadori Silvestri iu referuan edhe përpjekjeve të përbashkëta në luftën kundër tregtisë ilegale të pasurive kulturore, duke theksuar rëndësinë e projektit aktual të Zyrës Rajonale të UNESCO-s, “Lufta kundër tregtisë ilegale të pasurive kulturore në Ballkanin Perëndimor“, financuar nga BE, e cila këtë javë mbahet në Shkup. Përmes këtij projekti, në të cilin janë përfshirë ekspertë nga Universiteti i Milanos dhe përfaqësues të Karabinierëve, janë trajnuar njëqind përfaqësues maqedonas nga disa institucione për t’u ballafaquar me sukses me këtë problem.
Konfirmim i marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve janë shfaqjet e shumta të mbështetura të artistëve maqedonas në Itali dhe aktivitetet e shumta italiane në vend, si dhe prezantimi i vazhdueshëm i artit dhe arkitekturës maqedonase në “Bienalen e Venecias”.
Bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve zhvillohet sipas Marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e kulturës, arsimit dhe shkencës, e nënshkruar në nivel qeveritar në vitin 1998. Deri më tani janë përfunduar pesë programe bashkëpunimi në fushën e kulturës, arsimit dhe shkencës dhe i fundit është nënshkruar më 20 tetor 2022.