Ministri i Kulturës dhe i Turizmit, Zoran Ljutkov, sot ka zhvilluar një takim pune me ambasadoren e Rumanisë në Shkup, Adela Monika Axhinte.
Në takim, bashkëbiseduesit u shprehën se marrëdhëniet mes dy vendeve karakterizohen nga miqësia dhe dialogu i hapur, si dhe interesi i dukshëm për ndërtimin e bashkëpunimit intensiv në të gjitha sferat shoqërore, përfshirë edhe atë të kulturës.
Ljutkov dhe Axhinte theksuan se marrëveshja e bashkëpunimit në fushën e arsimit, shkencës, kulturës, mediave masive, rinisë dhe sportit e nënshkruar nga qeveritë e dy vendeve ofron një kornizë solide për shkëmbimin kulturor të projekteve dhe artistëve.
Me drejtim të forcimit të bashkëpunimit të ardhshëm në kulturë dhe turizëm, në takim u diskutua për mundësinë e nënshkrimit të një dokumenti dypalësh ndërmjet ministrive të kulturës (turizmit) të dy vendeve, me të cilin do të arrihet një bashkëpunim më i drejtpërdrejtë institucional në këto fusha.
Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e vizitës së artistëve rumunë në festivalet e njohura në vendin tonë, duke përfshirë “Verën e Ohrit” dhe “Verën e Shkupit”, si dhe prezantimet e autorëve maqedonas në Rumani. Ministri Ljutkov theksoi edhe vizitën e suksesshme të artistit tonë të njohur multimedial Kiro Urdin në Rumani, ku këtë vit në Bukuresht u prezantua ekspozita e tij me foto të realizuara nga Urdini gjatë udhëtimeve të tij të shumta në Afrikë.
Vitin e ardhshëm bëhen tridhjetë vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve, dhe në këtë kontekst u fol për organizimin e forumeve turistike në të cilat do të prezantohen kapacitetet maqedonase dhe rumune në fushën e turizmit.
Në takim, ambasadorja rumune theksoi rëndësinë e zhvillimit të turizmit fetar, tranzit dhe çiklizmit dhe i dërgoi ftesë ministrit Ljutkov për të vizituar ekspozitën kushtuar vëllezërve Manaki, të cilën Ambasada e Rumanisë do ta organizojë më 21 shtator në Manastir.
Në fund të takimit, bashkëbiseduesit u dakorduan se të dy vendet do të mbeten të përkushtuara për marrëdhënie të mira reciproke edhe në të ardhmen, duke vendosur bashkëpunim më të drejtpërdrejtë ndërmjet institucioneve në fushën e kulturës dhe turizmit, si dhe shkëmbimin e artistëve.