Në Institutin Nacional Arkeologjik me muze pranë Akademinë Bullgare të Shkencave në Sofje, Republika e Bullgarisë, dje u hap ekspozita “105 vjet Trebenishte” në prani të zyrtarëve dhe përfaqësuesve nga institucionet e tre vendeve nga Maqedonia e Veriut, Bullgaria dhe Serbia, të cilat u bashkuan për realizimin e këtij projekti ekskluziv.
Ekspozita është rezultat i bashkëpunimit disa vjeçar ndërmjet Institutit dhe Muzeut Nacional Arkeologjik në pranë ABSH-së – Sofje, Muzeut Nacional të Serbisë – Beograd, Muzeut Arkeologjik të Republikës së Maqedonisë së Veriut – Shkup dhe Institutit dhe Muzeut – Ohër.
“Në 100 vjetorin në Shkup, tani në Sofje, dhe në vitin 2025 në Beograd. Kjo ekspozitë madhështore, e cila me krenari u vendos dhe u prezantua në Muzeun Arkeologjik në Shkup, zgjoi interesim të madh te qytetarët maqedonas. Besoj se maskat e arta nga Trebenishtja dhe qindra artefakte me vlerë nga ky lokacion jashtëzakonisht tërheqës arkeologjik do të zgjojnë edhe kureshtjen e publikut bullgar”, tha zëvendësministri i Kulturës, Daim Luçi, në hapjen e ekspozitës.
Ai tha se breza të tërë arkeologësh kanë kërkuar historinë e këtij lokaliteti unik dhe shtoi: “Falë synimeve të sinqerta dhe përpjekjeve të mëdha të ekspertëve nga shumë fusha të të tre vendeve, ajo që është gjetur po kthehet së bashku në tërësi. Nëpërmjet kulturës, ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore, vendet e Ballkanit Perëndimor lidhen mbi bazën e vlerave evropiane”.
Drejtoresha e Muzeut Arkeologjik nga Shkupi, Sllavica Babamova, theksoi se ekspozita është rezultat i punës së mundimshme dhe të përkushtuar të përbashkët të ekspertëve dhe profesionistëve nga muzetë e të tre vendeve, dhe se për kënaqësinë e të gjithëve, historia magjepsëse arkeologjike e aristokracia që jetoi në rajonin e Ohrit në shekullin VI dhe V para erës sonë për më shumë se një shekull ka qenë sfidë dhe frymëzim për arkeologët jo vetëm nga Ballkani por edhe më gjerë.
“Trebenishtja dhe gjetjet e saj luksoze në shekullin XXI kanë marrë dimension të ri, janë bërë sfidë për punën e përbashkët të lartë profesionale dhe simbol për qëllim të përbashkët për realizimin e kësaj ekspozite nga muzetë në Sofje, Beograd dhe Shkup. Në këto vite, Trebenishtja është kthyer në një tregues të një projekti të suksesshëm ndërkombëtar, realizimi i të cilit kërkon entuziazëm të jashtëzakonshëm, mirëkuptim reciprok, njohuri dhe përkushtim të profesionistëve nga tre shtetet fqinje ballkanike.
Në këtë kuptim, promovimi i përbashkët i trashëgimisë kulturore dhe prezantimi i saj në publikun e gjerë qëndron në thelbin e lidhjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor, që është edhe promovim i vlerave të përbashkëta evropiane që pranohen nga Maqedonia, e Veriut, Bullgaria dhe Serbia”, theksoi Babamova.
Në prani të shumë të ftuarve, ambasadorëve, politikanëve, punonjësve të muzeve nga të tre vendet në hapjen e ekspozitës në Institutin Nacional Arkeologjik me muze pranë ABSH-së, në frymën e vlerave evropiane dhe forcimit të bashkëpunimit kulturor të vendeve nga rajoni, folën edhe nënkryetarja e Bullgarisë, Iliana Jotova, drejtorët e muzeve nga Sofja Hristo Popov dhe nga Beogradi, Bojana Boriç-Breshkoviç, ministri i kulturës së Bullgarisë, Krastju Krastev, dhe sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës së Serbisë, Miodrag Ivanoviq.
Ndërmjet gjërave arkeologjike që vijnë nga Trebenishtja, më të njohurat janë maskat funerale të arit, por në kuadër të ekspozitës mund të shihen edhe objekte të tjera me vlerë, si aplikacione ari në formë dore, sandale, byzylykë prej ari, qelibare dhe lloje të tjera bizhuterie, gjëra nga qeramika, armë, helmeta, por edhe gjësende qeramike mbresëlënëse që lidhen me historinë ende mistike të aristokracisë së panjohur që banonte në fshatin e sotëm Trebenishtë.
Duke pasur parasysh se ky projekt përmban thelbin e lidhjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor përmes kulturës, ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore si vlerë themelore evropiane, ekspozita kushtuar Nekropolit të Trebenit do të vazhdojë rrugëtimin e saj nëpër muzetë më të rëndësishëm evropianë dhe botërorë, të cilët shprehen interes të madh që nga fillimi i projektit.