Ministri i Kulturës dhe i Turizmit, Zoran Llutkov sot ka marrë pjesë në tryezën e rrumbullakët kushtuar sektorit kulturor dhe kreativ dhe në kuadër të takimit ministror kushtuar platformave të menaxhimit të Ballkanit Perëndimor për arsim dhe trajnim, hulumtim, inovacion dhe kulturë.
Ministrat e kulturës nga Ballkani Perëndimor diskutuan për sfidat dhe iniciativat që kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale si burim për zhvillim gjithëpërfshirës, ekonomik dhe të qëndrueshëm, nevojën për ngritjen e kapaciteteve dhe aftësive profesionale në këtë fushë, veçanërisht në lidhje me menaxhimin e rrezikut në kohë të ndryshimeve klimatike.
Sipas Llutkovit, trashëgimia kulturore dhe zbatimi i saj në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe social hap mundësi për bashkëpunim dhe shkëmbim të njohurive dhe përvojave ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
– Vendet e Ballkanit Perëndimor, me mbështetjen e organizatave ndërkombëtare, tashmë bashkëpunojnë në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe në vendin tonë është një shembull i mirë i ruajtjes dhe prezantimit autentik të trashëgimisë kulturore dhe natyrore dhe realizimit të potencialit ekonomik dhe social. Muzeu i ujit në Gjirin e kockave në liqenin e Ohrit – është shprehur Llutkov.
– Ndryshimet klimatike në nivel global, nga ana tjetër – shtoi ai – janë sfida serioze që imponojnë qasje të reja në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Në këtë kontekst, dokumentet e reja strategjike për trashëgiminë kulturore përfshijnë pjesën për ndikimin e ndryshimeve klimatike në objektet arkeologjike dhe të gjitha objektet e tjera të mbrojtura dhe tërësitë kulturore.
Ministrat e Kulturës shkëmbyen informacione dhe përvoja për iniciativat e suksesshme në lidhje me bashkëpunimin rajonal dhe mobilitetin e artistëve dhe profesionistëve të kulturës si dhe prezantuan propozimet e tyre për bashkëpunim rajonal dhe evropian.
Si parakusht për bashkëpunim më të gjerë të artistëve në rajon, duke përfshirë mobilitetin e tyre, u theksua afirmimi dhe shfrytëzimi më i madh i përfitimeve që rrjedhin nga nënshkrimi i marrëveshjeve dypalëshe. Në këtë kontekst u theksua rëndësia e programit “Evropa kreative” dhe iniciativat dhe veprimet e tij “I-portunus”, “Kultura e lëviz Evuropën” dhe “Evropa me performancë”, si dhe rrjetet evropiane që merren me çështjet e lëvizshmërisë në mënyrë më të detajuar.
Lidhur me mobilitetin e artistëve, Llutkov përmendi edhe rëndësinë e shpalljes së Shkupit si Kryeqytet i Kulturës Evropiane për vitin 2028.
– Jemi të vetëdijshëm se të gjithë ne në vendin tonë kemi përgjegjësi të jashtëzakonshme në realizimin e aktiviteteve që do të pasojnë, me qëllim që Shkupi të paraqitet në një dritë evropiane. Aktivitetet në këtë proces padyshim që do të stimulojnë dhe mbështesin mobilitetin e artistëve dhe shkëmbimin e njohurive dhe përvojave të profesionistëve të kulturës si dhe profesionistëve nga sektorët përkatës me kolegët e tyre nga rajoni, Evropa dhe më gjerë – ka shtuar ministri.
Sipas Llutkovit, Konferenca ministrore është edhe një konfirmim se rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe proceset integruese evropiane janë lart në agjendën e politikave aktuale dhe të ardhshme të Bashkimit Evropian.