Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Llutkov, mbajti fjalim në promovimin e pullës postare jubilare me rastin e 80-vjetorit të kodifikimit të gjuhës standarde maqedonase sot në Portën triumfale me fjalët: “Një njeri pa gjuhë është si një pemë pa rrënjë”.
“Me këto fjalë e filloj fjalimin e sotëm sepse nuk ka asgjë më të rëndësishme për një popull sesa gjuha e tij. Ajo nuk është vetëm mjet për të folur, është zemra e historisë sonë, luftës dhe dashurisë për fjalën, për rrënjët, për atdheun. Prandaj, të kujdesemi për gjuhën do të thotë të kujdesemi për veten tonë, për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe për kujtimin e paraardhësve tanë”, tha Llutkov.
Ai shtoi se me promovimin e sotëm të pullës speciale postare, ne po nderojmë gjuhën tonë maqedonase.

“Në këtë botë të komunikimeve të shpejta dhe epokës digjitale, duket se pulla postare është një gjë e së kaluarës. Por jo, është krejt e kundërta. Është dëshmi e përjetësisë. Dhe gjuha maqedonase është pikërisht kjo – një vlerë e qëndrueshme, e cila i ka mbijetuar kohës, presioneve dhe përpjekjeve për mohim. Kjo është arsyeja pse kjo pullë postare ka rëndësi të jashtëzakonshme. Ajo do të udhëtojë nëpër botë dhe do të tregojë për tetë dekada pjekurie gjuhësore, për breza shkrimtarësh, poetësh, shkencëtarësh dhe mësuesish që ndërtuan dhe pasuruan gjuhën maqedonase. Në të njëjtën kohë, do të jetë kujtesë se gjuha maqedonase jeton dhe vazhdon. Ajo ka historinë e vet, bukurinë dhe forcën e vet”, tha Llutkov.
Në fund të fjalimit të tij, ministri Llutkov tha: “Le të vazhdojmë ta kultivojmë gjuhën maqedonase me të njëjtin ideal që e udhëhoqi Koneski, me forcë të qetë, me ndjenjë të thellë përgjegjësie dhe me besimin se fjala është shtyllë e identitetit”.