Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Llutkov, në kuadër të vizitave të rregullta në institucionet e kulturës, sot vizitoi Teatrin Nacional të Maqedonisë.
Në prononcim për media, Llutkov tha se është gjendur në dy situata – nga njëra është i gëzuar pa masë, pasi ka parë se si po shkojnë punët në shfaqjet që janë në vazhdim e sipër, ndërsa nga tjetra, siç tha ai, është i tmerruar dhe i tronditur.
“Jam i tronditur nga gjendja në të cilën ndodhet teatri, që vazhdon tashmë 7-8 vite. Edhe pse dihej gjendja dhe me kalimin e viteve u siguruan fonde për riparime dhe rinovime, megjithatë nuk ndodhi.
Teatri u ndërtua me shumë dashuri. Aktorët e TNM-së morën godinë të bukur, që nuk po them se nuk kishte asnjë të metë në ndërtim, por që nga viti 2017 duhej ndërhyrë dhe mirëmbajtur. Sa i përket buxhetit, ka pasur vite kur TNM kishte 20 milionë denarë për produksion. Në vitin 2017 kanë qenë 14 milionë denarë, ndërsa sot kemi 4 milionë denarë”, tha ministri Llutkov.
Ai shprehu besimin se “nga viti në vit si në fushën e investimeve ashtu edhe në atë të programeve, së bashku me drejtuesit do t’i kthejmë shkëlqimin institucioneve”.