Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Llutkov, sot ka vizituar institucionin më të vjetër dhe më të madh muzeor, Muzeun e Maqedonisë së Veriut. Në takimin me u. d. drejtorin Borçe Topukovski foli për situatën, por edhe për mënyrat për të rikthyer shkëlqimin e Muzeut që mbledh, ruan, studion dhe prezanton trashëgiminë tonë kulturore-historike.
“Projekti për rikonstruksionin e plotë të kompleksit muzeor është përgatitur dhe po zhvillojmë një procedurë për marrjen e miratimit të ndërtimit, e cila do të fillonte menjëherë me rikonstruksionin e çatisë dhe për rikonstruksionin e plotë të pjesës tjetër të objektit në periudhën e ardhshme do të vijojë tender me prokurim publik shumëvjeçar”, informoi Llutkov.
Ndryshe, sipas Llutkovit, për shkak të pakujdesisë së pushtetit të kaluar, Muzeu është shumë i lënë pas dore dhe në gjendje shumë të keqe. Është zhgënjyese edhe fakti se “Galeria e ikonave”, e cila është shpallur trashëgimi kulturore e një rëndësie të veçantë, është ende e mbyllur për shkak të tavanit të rrëzuar dhe rikonstruksioni i fundit i pjesshëm i strukturës së çatisë është bërë në vitin 2010. Edhe godina administrative dhe depot rrjedhin dhe ka shumë lagështi dhe sa i përket personelit në tre vitet e fundit ka vetëm një punësim, ndonëse 30 punonjës kanë dalë në pension.
Llutkov shprehu besimin se me realizimin e të gjitha fazave të projektit do të fitohet një institucion muzeor sipas të gjitha standardeve, i cili, siç tha ai, do të vazhdojë të jetë ruajtësi i trashëgimisë sonë kulturore materiale dhe shpirtërore, si dhe përfaqësues i denjë i kulturës dhe traditës sonë.