Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Llutkov, dje në mbrëmje foli në hapjen e manifestimit “Dhjetë ditët e Republikës së Krushevës”, në qytetin heroik që është shprehje e sfidës maqedonase dhe thesar i kulturës dhe traditës maqedonase.
Para auditorit të madh, në frymën e idesë së lirisë së vendit të heronjve të Kryengritjes së Ilindenit dhe Luftës Nacionalçlirimtare, ministri Llutkov tha: “Sot, në prag të Ilindenit, i themi botës përsëri se Maqedonia nuk ishte dhe nuk do të jetë gungë shterpe, që ta thyejë kush e gjen dhe kush e arrin. Sot, në faqet e kujtesës botërore, shënojmë me krenari se njëqind e njëzet e një vjet më parë dhe pikërisht tetëdhjetë vjet më parë, zgjodhëm dhe dërguam djemtë më të mirë që të ndriçoheshin të parët nga dielli i lirisë”.
Ai foli për guximin dhe vizionin e dukëve dhe partizanëve, duke shtuar se ata të bekuar nga Shën Ilia, “goditin fort në errësirë për të pastruar pamjen para amshimit dhe për të parë se sa larg është Maqedonia”.
“Heronjtë nga Meçkin Kamen dhe Sliva na treguan se si ta mbrojmë lirinë, idealin më të çmuar të njeriut kurse ne jemi breza që na ka mbetur amaneti – me bukurinë e kulturës dhe traditës sonë, të ruajmë identitetin dhe veçantinë shekullore, si investim i çmuar në mozaikun e qytetërimit botëror”, tha Llutkov, duke përmendur të gjitha institucionet kulturore që qyteti i Krushevës i ka si jehonë e së kaluarës dhe konfirmim i pasurisë së paçmuar të vendit tonë.
Duke uruar festën e Republikës, ministri Llutkov tha: “Unë besoj fuqishëm se programi i planifikuar i manifestimit “Dhjetë ditët e Republikës së Krushevës” do të jetë një fener i ri kulturor në Ballkan, për të cilin do të flitet gjatë dhe me të cilin bota do të na njohë si një qytet dhe një vend që duhet vizituar me admirim”.
Hapja ceremoniale e manifestimit filloi tradicionalisht me formimin e një kortezhi dhe mbërritjen e kalorësisë para shtyllës së Republikës së Krushevës. Lule të freskëta u vendosën para bustit të Vele Markovit, si dhe në vendpushimet e përjetshme të Pitu Gulit dhe Toshe Proeskit, para monumentit te varrezat partizane dhe para Kriptës së kryengritësve të Ilindenit.
Pas ceremonisë së leximit të Manifestit të Krushevës dhe ngritjes së flamurit të Republikës së Krushevës, pas fjalimeve solemne të ministrit Llutkov, kryetarit Tome Hristoski dhe gjuajtjes së topit të qershisë, mbrëmja vazhdoi me shfaqjet “Tanec” dhe “Nekst Tajm”.
Manifestimet qendrore për festën e 2 gushtit janë sot në Meçkin Kamen, kurse manifestimi “Dhjetë ditët e Republikës së Krushevës” do të zgjasë deri më 10 gusht me program që përfshin përmbajtje për të gjitha moshat – shfaqje dhe koncerte për më të rinjtë, ekspozita, poezi, lexime, programe drame dhe filmi, koncerte të të gjitha zhanreve, si dhe një konferencë shkencore me pjesëmarrës nga Instituti i Historisë Kombëtare.