Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Llutkov, dje në Muzeun e Luftës Maqedonase hapi ekspozitën “Anatomia e muralit të Ilindenit 1903” e piktorit akademik Borko Llazeski, kushtuar përkujtimit të dy festave të mëdha të historisë sonë – 121. vitet e Kryengritjes së Ilindenit dhe 80 vjet nga Seanca e Parë e Kuvendit Antifashist të Çlirimit Kombëtar të Maqedonisë (KAÇKM).
Në fjalën e tij, ministri Llutkov theksoi se ekspozita është shembull se si arti mund të tregojë të kaluarën, të ringjallë historinë dhe të përcjellë shpirtin luftarak të maqedonasve.
– Muralet e piktorit tonë akademik bashkëkohor Borko Llazeski, si formë pamore e artit, janë kronikë historike e momenteve më domethënëse të historisë sonë të gdhendura me ngjyra dhe formë, ku në çdo detaj ndjehet liria dhe pasioni i atyre që arritën ëndrrën e tyre. Ato janë përkujtim i asaj që kemi arritur dhe rrugës që kemi bërë si popull”, ka theksuar Llutkov.
Ky mural, shtoi ai, jo vetëm që na përcjell ngjarjet e një periudhe historike, por edhe na ndihmon të kuptojmë dhe vlerësojmë vlerat për të cilat kanë luftuar paraardhësit tanë.
– Kjo vepër është analizë artistike e njerëzve të thjeshtë të kthyer në heronj, e sakrificës dhe shpresave të tyre. Në të njëjtën kohë, është frymëzim për brezat e ardhshëm, duke u ofruar atyre mundësinë për të ndjerë dhe kuptuar luftën për liri në mënyrë që shkon përtej rrëfimeve tradicionale historike – është shprehur ministri i Kulturës dhe Turizmit.
Llutkov theksoi se është krenar për trashëgiminë tonë kulturore dhe veprat që promovojnë dhe ruajnë ngjarjet dhe personalitetet tona historike. Roli ynë, shtoi ai, është të mbështesim dhe inkurajojmë nisma të tilla, të cilat jo vetëm pasurojnë pasurinë tonë kulturore, por edhe forcojnë ndërgjegjen tonë kombëtare.