Marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kroacisë në planin e politikës së jashtme, në kuadër të bashkëpunimit rajonal, BE-së dhe NATO-s, reflektohen edhe në bashkëpunimin tradicionalisht të mirë në kulturë, ministri Zoran Llutkov dhe ministrja e kulturës dhe i media e Kroacisë, Nina Obuljen Korzhinek, janë pajtuar në takimin e sotëm dypalësh në Zagreb.
Në takim u shpreh mirënjohja për mbështetjen dhe gatishmërinë e Republikës së Kroacisë për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave pozitive nga procesi i anëtarësimit në BE. Ministrja Korzhinek theksoi se Kroacia mbetet e zëshme në mbështetjen e rrugës së integrimit evropian të vendit tonë, ndërsa ministri Llutkov në këtë kontekst theksoi se vizita e fundit e kryeministrit Hristijan Mickovski në këtë vend mik është shtysë shtesë për thellimin e marrëdhënieve.
Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Llutkov, koleges kroate ia shpjegoi rëndësinë e Qendrës Kulturore-Informative Maqedonase në Zagreb dhe prezantoi drejtoreshën e re, Mimi Gjorgoska-Ilievska, e cila ka përvojë shumëvjeçare në fushën e kulturës. Ai nënvizoi se Qendra ka potencial të madh për zgjerimin e bashkëpunimit në kulturë, por edhe për promovimin e pasurive natyrore të vendit tonë si dhe mundësinë e zgjerimit të kompetencave në arsim dhe shkencë.
Në takim u theksuan shembuj të shumtë të bashkëpunimit në nivel institucional në kulturë në të gjitha fushat e artit kurse ministrja Obuljen Korzhinek veçoi veçanërisht projektet e suksesshme filmike të bashkëprodhimit mes dy vendeve, si dhe përkthimet e veprave të njohura të autorëve maqedonas dhe kroatë në të dyja gjuhët. Ajo shprehu kënaqësi të veçantë për praninë e artistëve të teatrit maqedonas në Kroaci, të cilët po arrijnë suksese të lakmueshme.
Ministrat ndanë përvojat e tyre në lidhje me zhvillimin e industrive kreative, ku ministri Llutkov shprehu gatishmërinë për aplikimin e praktikave të mira kroate, duke theksuar se ky sektor është një nga prioritetet e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe për të do të ndahen mjete buxhetore të shtuara.
Në atmosferë konstruktive, ministrat Llutkov dhe Obuljen Korzhinek diskutuan për hapat e ardhshëm në lidhje me iniciativat shumëpalëshe, ndërsa përshëndetën riaktivizimin e nismës KOMOKOSEE – Këshilli i Ministrave të Kulturës, në kuadër të së cilës do të mbahen takime në nivel ekspertësh dhe ministror. Aktivitetet, konkretisht rregullimi dhe narrativa e ekspozitës muzeore, u diskutuan në vazhdim të projektit për hapjen e pavijonit të ish-Jugosllavisë në “Auschwitz-Birkenau”, të koordinuar nga Byroja Rajonale e UNESCO-s për shkencë dhe kulturë në Evropë me seli në Venecia, Itali.
Ministri Llutkov i bëri ftesë ministres Nina Obuljen Koruzhinek për vizitë kthyese në Maqedoni, gjatë festivalit të Unionit Rajonal të Teatrove “Ruta” në Shkup.