Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Llutkov, sot në Muzeun e Luftës Maqedonase foli në tubimin shkencor dhe profesional Turizmi enogastronomik: Si të krijohen përvoja autentike turistike maqedonase? organizuar nga Fakulteti për Turizëm dhe Logjistikë të Biznesit në Universitetin “Goce Dellçev” – Shtip.
Në fjalën e tij, Llutkov theksoi se gastronomia dhe industria e verës përfaqësojnë një nga sektorët më të rëndësishëm kulturor dhe ekonomik të vendit tonë, të cilët me pasurinë dhe diversitetin e tyre ofrojnë kënaqësi për shijet, por edhe mundësi të shumta për zhvillimin e turizmit dhe promovimin e identitetit tonë unik.
“Maqedonia është vend me histori të thellë, kulturë të pasur dhe bukuri natyrore që të lë pa frymë. Por fryma e saj e vërtetë përjetohet përmes enogastronomisë – përmes shijes së pjatave tradicionale dhe aromave të verërave të mira që tregojnë histori të tokës pjellore, vreshtave me diell dhe zakoneve shekullore”, tha ministri Llutkov.
Ai theksoi se vendi i ka të gjitha predispozitat për t’u njohur në skenën botërore të verërave dhe gastronomisë. Prandaj, siç tha ai, nëse duam ta pozicionojmë Maqedoninë si një destinacion kryesor turistik, thjesht duhet të theksojmë aurën e saj enogastronomike – si shenjë dalluese, si avantazh, si mesazh për botën.
![](https://kultura.gov.mk/wp-content/uploads/2025/02/thumbnail-1-1024x683.jpeg)
“Industria e gastronomisë dhe e verës në Maqedoni kanë potencial të madh për zhvillim të mëtejshëm. Me mbështetjen dhe investimin e duhur në infrastrukturë, arsim dhe marketing, Maqedonia mund të bëhet lider rajonal në industrinë e ushqimit dhe verës. Zhvillimi i turizmit i bazuar në burimet lokale gastronomike dhe të verës do të sigurojë vende të reja pune dhe do të rrisë dukshmërinë e Maqedonisë si destinacion për turizëm cilësor”, tha Llutkov.
Për këtë, tha ministri, nevojitet bashkëpunim intensiv në mes të sektorit publik dhe privat, si dhe për edukim të mëtutjeshëm dhe promovim të kuzhinës dhe verës maqedonase.
“Është e nevojshme që të gjitha palët e interesuara, nga fermerët dhe prodhuesit e verës te restorantet dhe agjencitë e udhëtimit, të punojnë së bashku për të krijuar brende që do të na përfaqësojnë më së miri në skenën dalluese, globale, enogastronomike. Vetëm në këtë mënyrë do të kemi sukses të zbulojmë potencialin e vërtetë të vendit tonë dhe të vendosemi si lojtar i rëndësishëm në botën e verës dhe gastronomisë globale”, theksoi Llutkov.
Në tubimin shkencor dhe profesional folën edhe Elena Mlladenovska Jelenkoviq, drejtoreshë ekzekutive e shoqatës “Verërat nga Maqedonia” dhe dekani i FTLB-së, prof. dr. Tatjana Boshkov.