Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Llutkov, gjatë vizitës së sotme në lokalitetin arkeologjik “Gradishte – Bilazora”, i cili ndodhet në afërsi të fshatit Knezhje, Shën Nikollë, theksoi se një nga qytetet më të mëdha dhe më domethënëse të hershme antike në brendësi të Ballkanit ka rëndësi të madhe kulturore dhe shkencore dhe është potencial i pashfrytëzuar për zhvillimin e turizmit kulturor dhe për këtë arsye në periudhën e ardhshme Ministria e Kulturës dhe Turizmit do të ofrojë mbështetje të fuqishme që “Bilazora” të marrë vendin që meriton.
– Lokaliteti arkeologjik “Bilazora” është një nga perlat e pakta më domethënëse në hartën arkeologjike të Maqedonisë, andaj dua t’ju kujtoj se nga viti 2008 deri në vitin 2017 këtu janë kryer kërkime të vazhdueshme arkeologjike, të cilat për një kohë ishin në kategorinë e projekteve kapitale, siç i ka hije një lokacioni siç është “Bilazora”, qyteti më i madh i pajonëve, një nga kombet më të vjetra dhe më të zhvilluara ballkanike – theksoi Llutkov, duke njoftuar se këto hulumtime shumë të rëndësishme do të përfundojnë me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, me çka ky lokalitet me potenciale të madh kulturor, shkencor dhe turistik më në fund do të vihet në funksion real.
– Me realizimin e fazës së fundit të kërkimeve të pallatit mbretëror me konservimin e mbetjeve arkitekturore të zbuluara të lokalitetit, do të hapen dyert për afirmimin e plotë të “Bilazorës” si një nga pikat më të rëndësishmet arkeologjike, kulturore dhe turistike nga antikiteti i hershëm i Ballkanit – theksoi ministri Llutkov.
Ministri Llutkov gjatë vizitës u takua me drejtorin e Muzeut të Shën Nikollës, Aleksandar Nacev, me kryetarin e Komunës së Shën Nikollës, Dejan Vlladev, si dhe me Prof. Dr. Ratko Duev, dekan i Fakultetit Filozofik në Shkupi dhe Prof. Dr. Dragi Mitrevski, udhëheqës i ekipit të ekspertëve që i kryen hulumtimet arkeologjike të këtij lokaliteti, me të cilin u ra dakord që të shqyrtohen të gjitha mundësitë dhe t’i kushtohet vëmendje serioze promovimit të trashëgimisë kulturore të “Bilazorës” për qëllime turistike.
Gjatë vizitës u theksua se në periudhën e ardhshme do të punohet për rigjallërimin dhe pasurimin e lokalitetit me përmbajtje shoqëruese kulturore, arsimore dhe tregtare, me qëllim të promovimit sa më të mirë të trashëgimisë kulturore dhe nxitjes së zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik duke organizuar teatër, film dhe festivale letrare, koloni arti dhe koncerte.
Nga buxheti i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit në vitin 2024, për lokalitetin “Bilazora” janë ndarë 844.000 denarë. Hulumtimi sistematik i sivjetshëm arkeologjik i “Bilazorës”, për të cilin janë siguruar 304.000 denarë, do të realizohet në muajin shtator, ndërsa në vazhdim është mbrojtja e menjëhershme e objekteve të gjetura arkeologjike, për të cilat janë ndarë 240.000 denarë.
Në Muzeun e Shën Nikollës tashmë ekziston ekspozitë e përhershme arkeologjike kushtuar “Bilazorës” ku mund të shihni të gjitha gjetjet e luajtshme të zbuluara në vend dhe të merrni të gjitha informacionet për rëndësinë e saj.