Ministri i Kulturës dhe Turizmit Zoran Llutkov tha sot në konferencën e bibliotekistëve me titull “Shërbimet për përdoruesit me nevoja të veçanta dhe personat me aftësi të kufizuara” se bibliotekat duhet të përshtaten, të jenë më fleksibile, më të hapura dhe më të arritshme për të gjithë qytetarët pa përjashtim.
“Aftësia e kufizuar nuk duhet të shihet si pengesë, por si sfidë. Duhet të jetë nxitje për bibliotekat që të përshtaten, të jenë më fleksibile, më të hapura dhe më humane. Prandaj, sot, kur teknologjia na ofron mundësi gjithnjë e më të mëdha, nuk kemi asnjë justifikim për të mos e bërë këtë. Po flasim për qasjen në kuptimin fizik, siç është qasja në ambiente, por edhe për qasjen në përmbajtje përmes Braille, librave audio, formateve digjitale, programeve arsimore të adaptuara dhe mbështetjes së personalizuar”, tha ministri Llutkov.
Sipas tij të gjithë ne, dhe veçanërisht institucionet që mbajnë përgjegjësi për zhvillimin kulturor, duhet ta shohim qasjen jo si detyrim shtesë, por si parim themelor. Kjo konferencë është hap i rëndësishëm në këtë drejtim.
“Si Ministri e Kulturës, ne jemi të vetëdijshëm për sfidat me të cilat përballen bibliotekat sot, prandaj jemi këtu për t’ju mbështetur jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra. Le të krijojmë së bashku institucione kulturore në të cilat qasja dhe kujdesi nuk janë shtesë, por themel”, tha Llutkov.
Në konferencën e pestë të bibliotekistëve, që mbahet në Veles dhe organizohet nga Shoqata e bibliotekave të Republikës së Maqedonisë, marrin pjesë bibliotekistë nga vendi dhe jashtë vendit Serbia, Kosova, Shqipëria, Kroacia, India dhe Bosnja.