Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska sot në Media Qendrën e Qeverisë mbajti konferencë për media lidhur me konkluzionet e sesionit të 45-të të Komitetit të trashëgimisë botërore të UNESCO-s, i cili u mbajt nga 12 deri më 17 shtator në Riad të Arabisë Saudite, ku u bë e ditur se Rajoni i Ohrit mbetet në listën e trashëgimisë kulturore dhe natyrore botërore me vlerë të jashtëzakonshme universale.
Në konferencën për media ishin të pranishëm edhe ministrja e Mjedisit dhe planifikimit hapësinor, Kaja Shukova dhe drejtori i Administratës për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, Zoran Pavlov.
Siç theksoi Kostadinovska-Stojçevska, me këtë vendim Komiteti i trashëgimisë botërore të UNESCO-s respektoi përpjekjet tona, si dhe përpjekjet e përbashkëta me Republikën e Shqipërisë për ruajtjen e statusit prestigjioz të rajonit të Ohrit. Siç e ceki ministrja e Kulturës, Komisioni vlerësoi edhe faktin se ekipet e ekspertëve të të dy vendeve kanë përgatitur bashkërisht Planin Strategjik për rehabilitimin e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të rajonit të Ohrit me Plan veprimi.
“Është hap i rëndësishëm në zbulimin dhe trajtimin e faktorëve që ndikojnë negativisht në vlerat e rajonit të Ohrit. Hartimi i Planit strategjik u përshëndet nga Komiteti, me rekomandim që së bashku me Shqipërinë për të precizuar afatin kohor të zbatimit, buxhetin dhe prioritetet e aktiviteteve të Planit Strategjik. Kjo do të thotë se kemi shumë punë të përbashkët përpara me Republikën e Shqipërisë. Ne i ndajmë bukuritë natyrore, por edhe përgjegjësitë për Liqenin e Ohrit”, tha Kostadinovska-Stojçevska.
Ajo përsëriti para gazetarëve se Komiteti vlerëson shumë miratimin e Planit Strategjik së bashku me Republikën e Shqipërisë si konfirmim i synimeve tona të sinqerta për të ruajtur statusin dhe gatishmërinë për të punuar në vend dhe për bashkëpunim intensiv me UNESCO-n.
“Statusi prestigjioz mbetet, por mbeten edhe rekomandimet për ruajtjen e tij. Rekomandimet nuk janë të lehta dhe zbatimi i tyre kërkon vëmendjen tonë të plotë. Për të arritur sukses në këtë, është e nevojshme që të gjithë të mbajnë pjesën e tyre të obligimeve – si pushteti qendror ashtu edhe lokal dhe institucionet dhe qytetarët. Zbatimi i masave të treguara për rehabilitimin e Rajonit do të varet nga bashkëpunimi ynë. Obligimet janë adresuar drejt”, tha Kostadinovska-Stojçevska në konferencën e sotme për media.
Ajo renditi disa nga rekomandimet, të cilat, siç tha, pjesërisht i kemi filluar, por mbetet realizimi i plotë i tyre. Kostadinovska-Stojçevska shtoi se shpallja e Studençishko Bllato “park i natyrës” dhe Liqeni i Ohrit si “monument i natyrës” është në fazën përfundimtare. Ndër të tjera ajo theksoi se planet e reja të përgjithshme urbanistike për Ohër dhe Strugë duhet të hartohen sa më parë dhe se problemi i ndërtimeve pa leje duhet të vazhdojë të trajtohet dhe të sigurohet që ato që janë hequr nuk do të rindërtohen , por edhe se nuk do të shfaqen ndërtime të reja pa leje.
Kostadinovska-Stojçevska informoi se Misioni reaktiv monitorues i Qendrës së trashëgimisë botërore të UNESCO-s dhe organet këshillëdhënëse do të vijnë sërish në fillim të vitit të ardhshëm për të vlerësuar zbatimin e rekomandimeve dhe masave për rehabilitimin e rajonit të Ohrit.
“Ekipet e ekspertëve do të vazhdojnë të punojnë intensivisht dhe në mënyrë të koordinuar dhe të veprojnë në zbulimin dhe trajtimin e faktorëve që ndikojnë negativisht në veçoritë dhe vlerat natyrore të rajonit të Ohrit”, tha ministrja e Kulturës, e cila informoi se është thirrur mbledhje e Komitetit ndërkufitar për menaxhimin e pellgut të liqenit të Ohrit, ku do të hapen dhe analizohen të gjitha çështjet që prekin të mirën e përbashkët.
Në konferencën për shtyp, Kostadinovska-Stojçevska falënderoi të gjithë të përfshirët në procesin e ruajtjes së statusit të rajonit të Ohrit– anëtarët e grupeve punuese, ekspertët, ministritë, komunat, shoqërinë civile, për, siç tha ajo, bashkëpunimin profesional dhe të sinqertë në një vit e gjysmë të kaluar.
“Falë këtij bashkëpunimi, rajoni i Ohrit nuk ishte temë diskutimi në seancën e Komitetit të trashëgimisë botërore në Riad sepse u vlerësua se po bëjmë përpjekje, se jemi të vetëdijshëm për rreziqet dhe se vendi ka vullnet dhe interes për t’u përballur me to. Edhe pse dalëngadalë po largohemi nga lista e trashëgimisë botërore në rrezik, nuk duhet të harrojmë faktin se vetëm mosveprimi ynë sipas rekomandimeve do të jetë arsyeja për të hyrë rajoni i Ohrit në një thesar natyror dhe kulturor botëror i rrezikuar. Ne jemi vetëm trashëgimtarët e tij. Një nga të shumtët para dhe pas nesh. Rëndësia e rajonit të Ohrit është e pamatshme dhe e përhershme”, shtoi ministrja e Kulturës.