Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska, së bashku me kryetaren e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska dhe ambasadorin e Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Dejvid Gir, shpjeguan të gjitha zhvillimet dhe procedurat e mëtutjeshme në lidhje me “Shkupi- Kryeqendër e Kulturës Evropiane në vitin 2028”.
Kostadinovska-Stojçevska theksoi se “Shkupi – Kryeqyteti i Kulturës Evropiane në vitin 2028” – tingëllon bukur dhe jep shpresë, por kërkon edhe shumë punë.
“Ky titull që i është dhënë kryeqytetit tonë nga ekspertë të Komisionit Evropian, nuk është çmim. Është shans dhe mundësi dhe si ministre e Kulturës jam e bindur se do të bëjmë çmos që në vitin 2028 të jemi krenarë për Shkupin dhe Shkupin me ne. Këtë titull e shoh si sfidë për t’u bashkuar në ide dhe për t’i mundësuar Shkupit dhe banorëve të tij, por edhe të gjithë qytetarëve të Maqedonisë të ndjehen evropianë”, tha Kostadinovska-Stojçevska në konferencën e sotme për shtyp në Parkun e qytetit.
Ajo përkujtoi se, duke njohur vlerën, por edhe peshën e titullit “Kryeqyteti i Kulturës Evropiane”, Qeveria, përmes Ministrisë së Kulturës, u angazhua për mbështetje të parezervë, si financiare, ashtu edhe kadrovike dhe infrastrukturore, në shërbim të “Shkupit 2028”. Siç theksoi Kostadinovska-Stojçevska, ky është projekt në të cilin do të investohet me vite dhe ishte aspekt shumë i rëndësishëm që Shkupi të merrte titullin “Kryeqyteti i Kulturës Evropiane”.
“Përfitimet janë të mëdha, mundësitë janë të pashtershme. Bëj thirrje për mobilizim kreativ të të gjithë punëtorëve dhe artistëve të kulturës, skenës së pavarur kulturore, autorëve të rinj, njerëzve novatorë, industrive krijuese, sektorit joqeveritar, punonjësve të turizmit, zejtarëve, komunitetit të biznesit, mediave…kemi potencial që, jam e bindur, nuk do të humbasë shansin për të treguar më të mirën e tij. Ky duhet të jetë investimi ynë i përbashkët në një vit të paharrueshëm, vit në të cilin Shkupi do të jetë kryeqytet i denjë i kulturës evropiane”, theksoi Kostadinovska-Stojçevska.
Duke theksuar se përzgjedhja e Shkupit si “kryeqytet i kulturës evropiane për vitin 2028” është sukses i madh për kulturën maqedonase dhe test i qëndrimit tonë ndaj tij, ministrja e Kulturës theksoi se ekspertët evropianë respektuan përkushtimin dhe gatishmërinë tonë për t’iu përgjigjur sfidave që i sjell viti 2028 dhe siç tha, duhet ta arsyetojmë.
-“Në vitin 2028, Shkupi nuk do të jetë udhëkryq, por pikë takimi e kulturave që do të përdorin pasurinë, veçantinë dhe diversitetin e tyre për të krijuar dhe forcuar ndjenjën evropiane tek të gjithë. Prandaj, duhet të kemi parasysh se “Kryeqyteti i Kulturës Evropiane” është para së gjithash ide dhe më pas titull. Ne e kemi kuptuar thelbin e kësaj ideje nëse e kuptojmë kulturën si “motorin” e zhvillimit tonë të përgjithshëm. “Karburanti” është në dituri, në kreativitet dhe në inovacion – theksoi Kostadinovska-Stojçevska dhe shtoi se kemi shumë punë përpara nesh ku duhet të investojmë të gjithë potencialin tonë krijues dhe organizativ kurse ekspertët evropianë do të shikojnë çdo hap.
Më herët, në kuadër të manifestimit, ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska mori pjesë edhe në punëtorinë për artin popullor maqedonas në Qendrën kulturore për fëmijë – “Karposh”.
Në kremtimin e sotëm të titullit “Shkupi – Kryeqyteti i Kulturës Evropiane” dhe në konferencën për media të organizuar nga Qyteti i Shkupit, u përgatit program argëtues, shfaqje muzikore, aktivitete interaktive dhe kënaqësi gastronomike.