Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska sot mbajti fjalim në Konferencën e 42-të të Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për arsim, shkencë dhe kulturë, e cila mbahet në Paris nga 7 deri më 22 nëntor.
Në debatin për politikat e përgjithshme të Organizatës, Kostadinovska-Stojçevska shprehu bindjen se kjo konferencë, e cila mbahet në prag të 78-vjetorit të formimit të UNESCO-s, misioni i së cilës është ndërtimi i kulturës së paqes dhe dialogut ndërkulturor, është vendi dhe koha e duhur për të folur.
“Vendi im ka bekimin e quajtur Rajoni i Ohrit, i cili 44 vjet më parë hyri në listën prestigjioze të UNESCO-s si një nga tridhjetë e gjashtë pasuritë kulturore dhe natyrore botërore me vlerë universale”, tha Kostadinovska-Stojçevska, duke theksuar bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe të shkëlqyer me Qendrën për trashëgimi botërore dhe me organet këshilldhënëse për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të rajonit të Ohrit.
“Komiteti i Trashëgimisë Botërore njohu dhe respektoi përpjekjet tona, si dhe përpjekjet e përbashkëta me Republikën e Shqipërisë për të ruajtur bukurinë e Ohrit. Ekipet e ekspertëve maqedonas dhe shqiptarë së bashku kanë përgatitur Planin Strategjik për rehabilitimin e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të Rajonit të Ohrit me Plan-Veprim. Kjo nismë e jona u vlerësua lart nga Komiteti dhe u interpretua si konfirmim i synimeve tona të sinqerta për të ruajtur statusin dhe gatishmërinë për të punuar në vend dhe për bashkëpunim intensiv me UNESCO-n”, tha Kostadinovska-Stojçevska.
Ajo kujtoi se megjithëse shumë e lidhin rolin e UNESCO-s vetëm me statusin prestigjioz të Rajonit të Ohrit, kisha monumentale e shekullit të 12-të “Shën Gjergji” nga Kurbinova është gjithashtu e regjistruar në Listën Tentative të UNESCO-s dhe shtoi se restaurimi dhe konservimi i kësaj perle të veçantë me vlerë monumentale po i vjen fundi.
Duke folur për aktualitetin në botë, Kostadinovska-Stojçevska tha:
“Si kurrë më parë, ne kemi nevojë për unitetin e njerëzve të mirë dhe zërin e njerëzve të arsyeshëm.
Dhe këtu e njoh forcën dhe madhësinë e misionit të UNESCO-s. Ky thesar i gjërave më të bukura të krijuara nga natyra dhe njeriu, ka autoritetin, të drejtën dhe detyrën të na mobilizojë nën mbrojtjen e misionit të tij fisnik”.
Në fjalën e saj, Kostadinovska-Stojçevska tha se pas sëmundjeve me përmasa pandemike, sot në dekadën e tretë të shekullit të 21-të, bota po përballet edhe me dy luftëra, ndryshimet klimatike, lajme të rreme, transformimi digjital i shoqërisë, zhvillimin e inteligjencës artificiale.
Në këtë kontekst, ministrja e Kulturës Kostadinovska-Stojçevska tha se tani është koha e duhur për bisedë reale, “sepse botës i duhet një ri-mendim i përgjithshëm (re)Thinking”.
Kostadinovska-Stojçevska theksoi rëndësinë dhe vazhdimësinë që ka vendi ynë përmes bashkëpunimit me Organizatën Botërore si anëtare e cila ka 30 vjet që në mënyrë aktive kontribuon në zbatimin e politikave kulturore multilaterale në botë.