Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska po qëndron në Paris, ku së bashku me ministrat e Kulturës së Shqipërisë dhe Serbisë, Elva Margariti dhe Maja Gojkoviq, në mbrëmje, në orën 18:30, në Qendrën Kulturore të Serbisë do të mbajë fjalim me rastin e hapjes së ekspozitës “Supstrati”.
Ekspozita realizohet nën patronazhin e ministrive të kulturës të Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë, në bashkëpunim me ambasadat e të tre vendeve dhe në kuadër të programit kulturor të nismës “Ballkani i Hapur”.
Në ekspozitë do të prezantohen para publikut ndërkombëtar projektet e reja të artistëve: Kristina Pulejkova (Maqedonia e Veriut), Nina Zheljkoviq (Serbi) dhe Driant Zeneli (Shqipëri).
Kuratore e ekspozitës është Klaudia Petcolld, themeluese e portalit senzibilizues për transformimin e trashëgimisë natyrore dhe kulturore “Curating Evolution”, i cili, duke u fokusuar në artin bashkëkohor, thekson lidhjet themelore midis tre vendeve në kuadër të “Ballkanit të Hapur”.
Realizimi i programit kulturor të “Ballkanit të Hapur” u mundëson vendeve të Ballkanit, nëpërmjet skenës së tyre artistike, të paraqesin kulturën ballkanike në një koncept bashkëkohor dhe në të njëjtën kohë, nëpërmjet dialogut ndërkulturor dhe një qasjeje ndërdisciplinor të promovojnë kulturën specifike dhe karakteristikat artistike të Ballkanit.
Ekspozita “Supstrati” do të jetë e hapur për publikun deri më 12 gusht 2023.