Ekonomia maqedonase ka një potencial të madh dhe të pashfrytëzuar për zhvillim në fushën e industrive kreative, si dhe njerëz që tashmë e kanë dëshmuar veten në skenën botërore me veprat e tyre, por duhet bërë shumë më tepër për përmirësimin e kushteve, të cilat do rezultojnë me efikasitet më të madh, theksoi ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska në takimin ministror të Procesit të bashkëpunimit në Evropën Juglindore, që mbahet sot në Cetinje të Malit të Zi.
-Së fundmi në Odën Ekonomike të Maqedonisë së Veriut u formua Shoqata e Industrive Kreative, e cila angazhohet për promovimin, zhvillimin, inkurajimin, ruajtjen dhe edukimin e kulturës dhe trashëgimisë kulturore. Shoqata parasheh pjesëmarrje dhe organizim të llojeve të ndryshme të aktiviteteve për të mbështetur industritë ekzistuese, pjesëmarrjen aktive në krijimin e ndryshimeve ligjore dhe zgjidhjeve të reja në fushën e industrive kreative, si dhe përmirësimin e pasqyrës së përgjithshme ekonomike të Maqedonisë së Veriut”- tha ministrja.
Ajo përkujtoi se kemi një strategji në të cilën përpunohet tema e industrive kreative, por mungon zbatimi më aktiv i qëllimeve të vendosura dhe procesi i bashkëpunimit të vendeve të Evropës Juglindore që na jep një mundësi të hapur për avancimin e politikave në të gjitha sferat e jetës.
– Si Ministri e Kulturës kemi detyrim që të forcojmë pjesën e projekteve stimuluese në fushën e industrive kreative. Vetëkuptohet se iniciativat politike në të cilat jemi përfshirë kanë një ndikim të madh në transformimet që na presin, si: Ballkani i Hapur, ky Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, procesi i anëtarësimit dhe programi i shqyrtimit për BE-në, tha Kostadinovska-Stojçevska.
Ajo gjithashtu informoi se Ministria e Kulturës parasheh ngritjen e një sektori të ri për industritë kreative me linjë të veçantë buxhetore.
– Është e rëndësishme të njohim vlerat që kemi të gjithë në pasurinë e të mirave kulturore, në potencialet e pashfrytëzuara të individëve dhe shoqatave civile, të novatorëve dhe krijuesve, forcën e tyre për krijimin e një shoqërie humane për jetën me përfitime ekonomike dhe vetëqëndrueshmëri, shtoi ajo.
Ajo theksoi se sukseset në industritë kreative janë suksese të përbashkëta dhe kanë kuptime të shumëfishta, përveç përfitimit të lartë ekonomik, duke shprehur besimin se të gjitha së bashku me përvojat e përbashkëta, të rrjetëzuara në nivel institucional, do të ndihmojnë mbarë rajonin që të ndjekë. Arritjet evropiane me të njëjtin efikasitet.
Në fund, Kostadinovska-Stojçevska u shpreh e kënaqur që Republika e Maqedonisë së Veriut nga qershori i vitit të ardhshëm, do të jetë kryesuese e Procesit të bashkëpunimit të vendeve të Evropës Juglindore dhe nikoqire e tyre.