Është duke u rinovuar shkolla e vjetër në Tresonçe, fshati i lindjes së piktorit të njohur maqedonas, afreskograf dhe përfaqësues i shkollës së Dibrës, Diço Zograf.
Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska dhe kryetari i komunës së Mavrovës dhe Rostushës, Medat Kurtovski, sot vizituan lokacionin e shkollës fillore “Dimitar Ormanski” në Tresonce, ku me grante kapitale nga Ministria e Kulturës në vlerë prej 5,3 milionë denarë, objekti i vjetër i shkollës në mijaçkën më të vjetër, e me këtë edhe në fshatin e Rekës së Vogël, do të rivitalizohet në qendër kulturore multifunksionale.
“E mirëpres përzemërsisht idenë e kryetarit të komunës së Mavrovës dhe Rostushës, pikërisht në vitin kur përkujtojmë 150 vjetorin e vdekjes së Diço Zografit, i cili është një nga piktorët kryesorë të shkollës së Dibrës dhe një nga piktorët më të famshëm të ikonave dhe afreskografët në Ballkan në shekullin e 19-të, për të rindërtuar shkollën e vjetër në Tresoncen e bukur. Në këtë mënyrë, me bashkëpunimin mes pushtetit qendror dhe atij lokal, tregojmë kujdesin tonë për mbrojtjen dhe edukimin e vlerave më të larta që posedon ky rajon, i cili është shumë i pasur me trashëgimi kulturore. Është ky rajon që ka prodhuar numër të madh të aktorëve të shquar të kulturës, të cilët janë pjesë e rëndësishme e traditës, historisë dhe kulturës maqedonase”, tha ministrja e Kulturës Kostadinovska-Stojçevska. Ajo shtoi se këtë vit shënohen 100 vjet nga vdekja e piktorit Avram Diçov, i cili është përfaqësues i shkollës së pikturës së Dibrës dhe djali i Diço Zografit.
“Është veçanërisht e rëndësishme që përmes kësaj qendre multifunksionale do të aktivizohen përmbajtje të ndryshme që do të afirmojnë kulturën e rajonit dhe do të tërheqin një numër më të madh të mysafirëve. Po krijojmë shtëpi të përshtatshme për nderimin e veprës së Diço Zografit, hapësirë përfaqësuese të ekspozitës, vend për mbajtjen e seminareve dhe në përgjithësi vend ku do të ruajmë trashëgiminë artistike të këtij piktori të njohur”, shtoi Kostadinovska-Stojçevska.
Ajo theksoi se me rindërtimin e shkollës së vjetër do të krijohen kushte dinjitoze për të gjithë pjesëmarrësit e shkollës tradicionale ndërkombëtare “Në gjurmët e Diço Zografit”, e cila çdo vit mbahet në Tresonçe.
“Me investime të tilla do të krijojmë kushte të përshtatshme ku do të mbahen ngjarje të shumta kulturore dhe do të tërheqim më shumë vizitorë dhe turistë të cilët do të njihen me kulturën, historinë dhe bukuritë e komunës sonë”, shtoi kryetari Medat Kurtovski. Ai theksoi rëndësinë e mbështetjes së projekteve që sigurojnë zhvillim të balancuar të shtetit, veçanërisht në vendet më të vogla, ku popullata ka më pak mundësi për të vizituar ngjarjet kulturore.
Rindërtimi i shkollës së vjetër në Tresonçe është një nga nëntë projektet për të cilat janë ndarë 40 milionë denarë këtë vit, përmes konkursit për dotacione kapitale të Ministrisë së Kulturës.
Kostadinovska-Stojçevska dhe kryetari i komunës së Mavrovës dhe Rostushës kanë vizituar edhe Shtëpinë e kulturës në fshatin Rostushë, ku me mjete të vetëqeverisjes lokale është bërë rinovimi i sistemit të zërimit si dhe është ndërruar instalimi elektrik në objekt, i cili përdoret për aktivitete të ndryshme kulturore. Në këtë objekt në periudhën e kaluar janë kryer edhe disa rikonstruksione, fasada e re dhe karriget në shtëpinë e cila është i vetmi vend për ngjarje kulturore në këtë vendbanim. Ata morën pjesë edhe në programin e shkurtër artistik të përgatitur nga nxënësit e shkollës fillore, të cilët performuan me shfaqje dhe valle nga tradita e pasur folklorike maqedonase.
Në fund të vizitës, Kostadinovska-Stojçevska dhe Kurtovski u pajtuan se bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve qendrore dhe lokale është jashtëzakonisht i rëndësishëm për përmirësimin e kushteve në të cilat funksionojnë shtëpitë e vogla të kulturës në vendbanimet e vogla në mbarë vendin.