Me tingujt e „Marshit triumfal” nga „Aida” dhe me ndezjen e zjarrit të festivalit,në Operën dhe Baletin Kombëtar, mbrëmë në mënyrë solemne u hapën Mbrëmjet e 50-ta jubilare operistike të majit.
Festivalin të hapur e shpalli ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska, e cila në fjalimin e saj theksoi se mbrëmjet operistike të majit që realizohen drejtpërdrejt në Shtëpinë e Operës, pas dy viteve të vështira me pandeminë që na privuan nga jeta normale, janë ngjarje e veçantë,përjetim i veçantë.
„Maskat i hoqëm. Tani maskat artistike le të hyjnë në skenë – aty ku më së miri përshtaten, aty ku ecën elita e vërtetë. Mbrëmjet e buta të Shkupit kthehen me mbrëmjet operistike të majit”, tha Kostadinovska-Stojçevska.
Ajo shtoi se ngritja e perdes së edicionit të 50-të të Mbrëmjeve ndërkombëtare operistike të majit është jubile respekti, si dhe kremtimi i një tjetër jubileu – 75 vjet nga themelimi i Operës së Maqedonisë, e cila më në këtë ditë para 7 dekada e gjysmë realizoi operën e pare në kryeqytetin e Republikës së lirë Popullore të Maqedonisë.
Duke shprehur respekt dhe mirënjohje për fituesit dhe për të gjithë ata që vazhduan të pasurojnë operën maqedonase – kompozitorë, dirigjentë, këngëtarë të operës – Kostadinovska-Stojçevska rikujtoi se opera e parë maqedonase „Goce” është interpretuar më 24 maj të vitit 1954, e shkruar nga Kiril Makedonski, me regji të Petre Prliçko. Kiril Makedonski është autor edhe i operës “Car Samoil” që është interpretuar në mbrëmjet e para operistike të majit më 9 maj të vitit 1972, në Ditën e Fitores, në Ditën e Evropës.
„Jo rasisht kemi 5 dekada që e festojmë këtë ditë me ngjarje kaq të rrallë muzikore siç janë Mbrëmjet opristike të majit.Sepse opera është papërsëritshme, e pazëvendësueshme dhe është në piedestal prej shekujsh”, tha ministrja e Kulturës.
Këtë vit Mbrëmjet e 50-ta operistike të majit në mënyrë solemne u hapën me premierën e një prej operave belkanto kryesore në letërsinë operistike botërore, operës „Norma” të Vinçenco Bellinit.