“Me 3 milionë denarë përkrahim komunën e Kriva Pallankës, e cila vë në funksionim të gjitha kapacitetet infrastrukturore dhe njerëzore për realizimin e manifestimit të Qytetit të kulturës për vitin 2024”, tha ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska në konferencën e sotme për media me rastin e nisjes së eventit.
Kostadinovska-Stojçevska theksoi se Ministria e Kulturës vazhdon të mbështesë projektet përmes të cilave kultura vihet në funksion të zhvillimit shoqëror dhe promovimit të saj në nivel lokal dhe shtoi: “Përmes mbështetjes financiare të këtyre projekteve si dhe përkrahjes në kuadër të Programit vjetor, por dhe me mjetet e investuara përmes Programit për subvencione kapitale për komunat, për të cilin Kriva Pallanka ka marrë 800 mijë denarë për projektin dhe dokumentacionin teknik për rindërtimin dhe përshtatjen e objektit të IN Qendrës së Kulturës, janë krijuar kushte për zhvillimin sistematik dhe të vazhdueshëm të kulturës në këtë qytet, por edhe në rajon”.
Ministrja e Kulturës shprehu besimin se i gjithë programi do t’i japë puls të ri qytetit kurse mysafirët do të kontribuojnë çdo ditë që Kriva Pallanka të jetojë në ritëm tjetër këtë vit.
“Pres që ngjarjet e shumta, përveç promovimit të kulturës, të kontribuojnë në frekuentimin më të madh të qytetit, afirmimin e pasurisë kulturore dhe natyrore të këtij rajoni, bukuritë e Osogovës, manastirin unik të Osogovës, lokalitetet me vlerë, duke krijuar kështu model të vetë-qëndrueshmërisë në kulturë dhe duke mbështetur turizmin. E gjithë kjo së bashku sigurisht që do të kontribuojë në përfitimet ekonomike të Kriva Pallankës”, tha ministrja e Kulturës.
Kryetari i komunës së Kriva Pallankës, Sashko Mitovski, tha se është nder i madh që Kriva Pallanka është qytet i kulturës për vitin 2024, në kuadër të të cilit komuna në bashkëpunim me Qendrën për kulturë dhe Muzeun e Qytetit, është duke krijuar program përmes të cilit ushqehen vlerat tradicionale, promovohet pasuria kulturore-historike e Kriva Palankës, mbështeten manifestimet ekzistuese dhe fillohen manifestime të reja.
“Ekipet për realizimin e programit tashmë janë duke punuar intensivisht dhe shpresoj se me përkushtimin e tyre do të jemi në nivel të detyrës që Kriva Pallanka të shkëlqejë nën dritat e vëmendjes, duke u shndërruar në skenë të madhe kulturore me ngjarje ku do të drejtohen sytë e gjithë publikut maqedonas dhe publikut nga rajoni”, tha kryetari Mitovski.
Programin për manifestimin e prezantoi drejtori i Muzeut të Qytetit, Dragan Veliçkovski, i cili prezantoi përmbajtjen e programeve kryesore dhe mbështetëse si dhe institucionet lokale kulturore dhe kapacitetet e komunës që e realizojnë këtë manifestim. Së bashku me Ministrinë e Kulturës u krijua një program me mbi 50 evente të ndryshme për të gjitha brezat dhe të gjitha shijet artistike.
Përfaqësuesit e Kolonisë Ndërkombëtare të Arteve “Shën Joakim Osogovski”, Jordan Mihajllovski dhe në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit “Shën Joakim Osogovski”, Goce Ristovski, i cili iu kthye kuptimit dhe historisë së manifestimeve që u shndërruan në ngjarje të njohura ndërkombëtare dhe relevante me rëndësi për mbarë rajonin.
Në fund të vitit publiku do të mund të ndjekë koncerte, shfaqje teatrale, ngjarje letrare, folklor, traditë, art filmik, programe për më të rinjtë, specialitete gastronomike nga rajoni, thjesht kulturë në dispozicion të të gjithëve.
Programi fillon më 16 mars me manifestimin e maskave dhe ndezjen rituale të zjarrit “Susuriga 2024”, pasuar nga koncerti i Karolina Goçevës, “Vajza maqedonase” më 23 mars, ndërsa të nesërmen manifestimi tradicional etnologjik “Adhurimi i nusërisë”.