Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojcevska në kuadër të vizitës në Londër, me rastin e 30 vjetorit nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Mbretërinë e Bashkuar, u takua me drejtoreshën e festivalit të filmit për gratë mbi 50 vjeç (i njohur si WOFFF), Nulla O’Sallivan.
Takimi hapi çështje që prekin gratë në botën e industrisë së filmit dhe vuri në dukje rolin që ka ky festival, përmes afirmimit të grave të moshuara në film, për të kundërshtuar ndarjet dhe seksizmin me të cilin përballen shumë gra autore.
Ministrja Kostadinovska-Stojçevska shprehu kënaqësinë që në festivalin e Londrës në nëntor do të shfaqet edhe filmi maqedonas “Toka e mjaltit”, i cili thekson mesazhin e fuqishëm të autorëve të cilët me këtë arritje kanë ndikim të veçantë në kuadrin global.
“Kënaqësi është fakti që në kinematografinë maqedonase shumë gra kanë filluar të merren seriozisht me këtë art, e disa prej tyre janë Marija Apçevska, Tamara Kotevska, Eleonora Veninova, Dina Duma. Ato janë një valë reale e re femërore në kinematografinë maqedonase dhe ngadalë, por me siguri po pushtojnë hapësirën kulturore evropiane dhe botërore në përzgjedhjen e shumë festivaleve prestigjioze të filmit”, tha në takim Kostadinovska-Stojçevska.
Ministrja Kostadinovska-Stojçevska dhe drejtoresha O’Salliven diskutuan edhe për bashkëpunimin e suksesshëm në kuadër të filmit të ri të Tamara Kotevskës, “Udhëtimet”, i cili është realizuar në produksion britanik dhe bashkëproduksion i pakicës maqedonase dhe që premierën botërore do ta ketë në Nju Jork, në festivalin më të vjetër dhe më të madh kushtuar dokumentarëve në nëntor, DOC NYC.
Takimi ishte rast për të diskutuar për mundësitë e ardhshme për inicimin e bashkëpunimit në mes të Festivalit të filmit për gra mbi 50 vjeç (WOFFF) dhe festivaleve të filmit maqedonas, veçanërisht me festivalin më të vjetër “Vëllezërit Manaki” në Manastir. Kostadinovska-Stojçevska dhe O’Salliven diskutuan gjithashtu mundësinë e pjesëmarrjes së autorëve të rinj nga Maqedonia e Veriut në këtë festival ndërkombëtar me filma, fokusi i të cilëve është te gratë mbi 50 vjeç.