Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska foli në takimin e dytë vjetor të arkitektëve dhe planifikuesve të organizuar nga Oda e arkitektëve dhe inxhinierëve të certifikuar, ku theksoi lidhjen e arkitekturës, planifikimit dhe trashëgimisë kulturore si aspekte të pandashme që pasqyrojnë vlerat imanente të identitetit kulturor dhe traditës së një vendi.
“Ky takim është jashtëzakonisht i rëndësishëm për të gjithë ne sepse ka në fokus arkitekturën dhe planifikimin si disiplina elementare në ekzistencën e një kombi, por në të njëjtën kohë mban gjallë diskutimin për përmirësimin e mbrojtjes dhe trajtimit të trashëgimisë kulturore në vendin tonë, dhe kjo flet shumë për identitetin tonë kulturor”, tha Kostadinovska-Stojçevska në Konferencën e mbajtur në Manastir.
Ministrja e Kulturës, para shumë arkitektëve, planifikuesve, inxhinierëve të dalluar nga i gjithë vendi, nga Fakulteti i Arkitekturës në Shkup dhe nga Shoqata e Arkitektëve, foli për trashëgiminë e pasur kulturore dhe arkitekturore të Manastirit, por edhe për sfidat që përballet ky qytet me një traditë shekullore.
Duke e theksuar këtë çështje si problem për çdo qytet që ka gjurmë materiale të trashëgimisë kulturore, Kostadinovska-Stojçevska iu referua nevojës së harmonizimit të Ligjit për ndërtim dhe Ligjit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
“Të vetëdijshëm për këto sfida, intensivisht janë duke u përgatitur aktet ligjore dhe nënligjore që kanë të bëjnë me mbrojtjen e objekteve dhe trashëgimisë materiale. Qëllimi i përbashkët i dy ligjeve është të çlirohemi nga nyja e situatave të pafundme dhe procedurave të pasigurta në të cilat bien si planifikuesit ashtu edhe autoritetet kompetente, të cilat më në fund do të sinkronizojnë të dy ligjet”, tha ministrja e Kulturës.
Ajo theksoi se përfitimet nga konsolidimi i këtyre dy ligjeve do të jenë të dukshme jo vetëm në Manastir, por njëlloj edhe në qendrat tjera të mbrojtura të qyteteve, si në Krushevë, Kratovë, Çarshinë e Vjetër të Shkupit.
Ajo që duam të arrijmë është mbrojtje reale dhe jo thjesht teorike e trashëgimisë kulturore, ashtu siç i ka hije një qyteti si Manastiri”, tha ministrja e Kulturës.
Në këtë drejtim, Kostadinovska-Stojçevska shprehu mirënjohje për bashkëpunimin e arkitektëve dhe urbanistëve nga Oda e arkitektëve dhe inxhinierëve të certifikuar me Asociacionin e Arkitektëve, të cilët kishin qëndrime të unifikuara në lidhje me normën ligjore në këtë sektor.
Takimi i dytë vjetor i arkitektëve dhe planifikuesve u mbajt me temë: “Arkitekti de fakto, visavi arkitekti de jure”, ndërsa ministrja Bisera Kostadinovska-Stojçevska hapi ekspozitën “Kriteret e arkitekturës maqedonase”, e cila prezanton veprat që ishin pjesë e Bienalës së 20-të dhe 21-të të Arkitekturës në Shkup – BIMAS, me projekte të ekspozuara në fushën e arkitekturës, urbanizmit, dizajnit dhe interierit.