Në skenën e madhe të Teatrit Antik në Ohër, mbrëmjen e djeshme, në kuadër të festës së 63-të të “Verës së Ohrit”, aktori i njohur amerikan Xhon Mallkoviç interpretoi në shfaqjen teatrore “Komedia e ferrit: Rrëfimet e një vrasësi serik”.
Performanca brilante dhe e shumëpritur e të famshmit Mallkoviç shkaktoi brohoritje dhe duartrokitje të zhurmshme nga publiku dhe me siguri do të mbetet ngjarje e rrallë dhe e paharrueshme që ofroi atmosferë magjike dhe unike, duke pasuruar historinë e njohur të festivalit të “Verës së Ohrit”. E shkruar dhe drejtuar nga Majkëll Shturminger, kjo arritje e jashtëzakonshme artistike, e shoqëruar me muzikë nga sopranot Çen Reis dhe Suzan Llangbej dhe Orkestra e Akademisë së Vjenës, ndërthuri muzikën klasike me dramën dhe aktrimin.
Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska e ndoqi shfaqjen e djeshme dhe theksoi se ky është spektakël i rrallë, ndërsa përshtypjet e publikut nga performanca skenike janë të paharrueshme dhe kjo, siç pritej, e vërteton madhështinë artistike të Mallkoviçit me aktrimin e tij mjeshtëror. Ajo falënderoi regjisorin dhe ekipin e “Verës së Ohrit” për këmbënguljen dhe profesionalizmin e tyre, duke iu përgjigjur vazhdimisht sfidës për të pritur një prej yjeve më të mëdhenj dhe më të njohur botërorë.
Para fillimit të kësaj drame teatrore psikologjike, të pranishmëve iu drejtua drejtoresha e këtij institucioni kulturor, Natasha Popoviq, e cila tha se “Vera e Ohrit” është nxitje që çdo vit të jetë më e madhe dhe më domethënëse, të plotësohet dhe përmirësohet me krijimtari të reja, që shënojnë vendin e festivalit si skenën më prestigjioze të artit, por edhe si simbol artistik të njohur në mbarë botën. Popoviq falënderoi Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Ministrinë e Kulturës dhe të gjithë ndihmuesit e festivalit për mundësinë e jashtëzakonshme për të shijuar projektin me aktorin me famë botërore Xhon Mallkoviç.
Zëvendës ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Erik Mejer, tha se nga forcat më të rëndësishme lëvizëse të marrëdhënieve të ndërsjella midis Shteteve të Bashkuara dhe Maqedonisë së Veriut është roli i gjallë i kulturës që pasuron qëllimet tona të përbashkëta.
-Dëshiroj ta falënderoj regjisoren Natasha Popoviq dhe ta përgëzoj për festivalin e mrekullueshëm të këtij viti. Faleminderit për nderin dhe mundësinë që më dhatë për të shpallur një simbiozë të madhe të dy subjekteve shumë të rëndësishme kulturore këtu në Ohër. Nga njëra anë, ky Teatër antik i mahnitshëm në të cilin ndodhemi, skena e “Verës së Ohrit”, një nga monumentet kulturore më të rëndësishme në Maqedoninë e Veriut. Dhe nga ana tjetër, ylli i madh dhe ikona kulturore amerikane, zotëri Xhon Malloviç. Ngritja dhe forcimi i lidhjeve mes popujve tanë është i nevojshëm për punën që bëjmë në ambasadën amerikane, në fakt këto lidhje janë aq të rëndësishme sa i konsiderojmë si shtylla të dialogut strategjik midis Shteteve të Bashkuara dhe Maqedonisë së Veriut, së bashku me bashkëpunimin rajonal, mbrojtja dhe siguria, zbatimi i ligjeve, tregtia, investimet dhe energjia – tha Mejer.