Me rastin e shënimit të 60 vjetorit të tërmetit katastrofik që e goditi Shkupin në vitin 1963, e në kuadër të projektit “Shkupi në 5 e 17”, sot në Muzeun e Arteve Bashkëkohore është hapur ekspozita digjitale e Arkivit Shtetëror “Shkëlqimi dhe rënia e Shkupit”.
Ekspozita e Arkivit Shtetëror, me mbi 300 fotografi dhe dokumente të parë nga objektivi i Kiro Gorgievskit, atëherë kronist dhe fotograf zyrtar i Kuvendit të qytetit, jep pamje të gjallë të shkatërrimit, rimëkëmbjes dhe ripërtëritjes së qytetit pas tërmetit.
Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska në hapjen e ekspozitës, në prani të presidentit të shtetit Stevo Pendarovski, përfaqësuesve të trupit diplomatik, si dhe një numri të madh të personave nga jeta publike dhe politike, shprehu mirënjohjen e saj të gjithëve për ruajtjen e kujtimit të Shkupit, dhe në 26 korrikun tragjik të vitit 1963, ditën kur, siç tha ajo, pas “një gjykimi të tmerrshëm të natyrës, qyteti i Vardarit u zhduk”.
Ajo kujtoi se në atë kohë Shkupi humbi 1070 banorë, humbi gati 80 për qind të shtëpive dhe infrastrukturës së qytetit, por edhe se qyteti pas rënies dhe me ndihmën e miqve nga e gjithë bota filloi ngritjen e tij.
“Ai u ndihmua nga arkitektë dhe ndërtues të njohur me famë botërore. U ndërtua krah për krah nga nikoqirët dhe të huajt, të cilët në atë tragjedi u bënë miqtë tanë përgjithmonë. Thirrjes së Kombeve të Bashkuara për ta ndihmuar ose për të konfirmuar miqësinë e tyre me Republikën e atëhershme Jugosllave të Maqedonisë iu përgjigjën shumë vende. Edhe sot u jemi mirënjohës. Askush nuk mund dhe nuk duhet të jetë vetëm”, tha ministrja e Kulturës.
Siç tha Kostadinovska-Stojçevska, Shkupi atëherë ndjeu shumë miqësi dhe dashuri nga e gjithë bota dhe konfirmimi për këtë është ndërtesa e Muzeut të Artit Bashkëkohor.
“Me dashuri për Shkupin dhe banorët e Shkupit, kjo ndërtesë e bukur, Tempulli i Artit Bashkëkohor, një ndërtesë e dhuruar nga populli mik i Polonisë për miqtë nga Shkupi, është shtëpia e veprave të dhuruara nga vendet e Grupit të Vishegradit, si dhe vepra nga artistë nga gjithë bota”, tha ministrja e Kulturës.
Në hapjen e ekspozitës, të pranishmit i përshëndeti presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski. Në fjalën e tij ai theksoi: “Ajo që është vlefshme është mësimi nga tragjedia e tërmetit dhe është me rëndësi që të jemi solidarë dhe të dhembshur ndaj fqinjëve dhe bashkëqytetarëve tanë, dhe në të njëjtën kohë të hapur ndaj urbanizmit të ri dhe ideve të reja për të krijuar mjedis jetese ku do të jemi të lirë dhe të respektuar”.
Ambasadori i Polonisë në vend, Kshishtov Gzhelçik, në emër të trupit diplomatik, theksoi se plani për rindërtimin e Shkupit është një nga shembujt më të ndritshëm të bashkëpunimit ndërkombëtar.
“Kombet e Bashkuara krijuan program të veçantë për rindërtimin e Shkupit, të udhëhequr nga arkitekti polak Adollf Ciborovski, dhe arkitektë dhe urbanistë, si Stanisllav Jankovski dhe Kenzo Tange, të cilët i dhanë formë dhe përcaktuan drejtimet për zhvillimin e Shkupit në dekadat në vijim. ”, tha ambasadori.
Në kujtim të solidaritetit të paparë deri atëherë në botë, ministrja Kostadinovska-Stojçevska, duke nderuar ata që humbën jetën, ata që shpëtuan jetë, për ata që ndërtuan, për ambasadorët e vendeve donatore, ndau mirënjohje.
Vizitorët e Muzeut të Artit Bashkëkohor, përveç ekspozitës “Shkëlqimi dhe rënia e Shkupit” i Arkivit Shtetëror, patën mundësinë të shikojnë video-projeksione nga Kinoteka e Maqedonisë së Veriut, si dhe të shohin veprën “Defragmentimi”, ekspozitë e vendeve të Grupit të Vishegradit.
Ngjarja në Muzeun e Artit Bashkëkohor është pjesë e projektit të Ministrisë së Kulturës dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për shënimin e 60 vjetorit të tërmetit në Shkup.