Ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska-Stojçevska dhe ministri bullgar i kulturës, Krastju Krastev, sot në Qeveri kanë zhvilluar takim bilateral, ku kanë biseduar për marrëdhëniet aktuale kulturore ndërmjet dy vendeve, si dhe për mundësitë për avancimin e tyre.
Në fokus të takimit, ku morën pjesë edhe zëvendësministrat e kulturës të të dy vendeve, Daim Luçi dhe Amelia Gesheva, ishte ekspozita ekskluzive “Thrakia e Argjendtë”, për hapjen e së cilës delegacioni i lartë shtetëror nga Bullgaria i kryesuar nga kryetari i parlamentit bullgar, Rosen Dimitrov Zhelazkov.
Bashkëbiseduesit shprehën kënaqësinë që bashkëpunimi mes dy institucioneve të njohura, Muzeut Arkeologjik Maqedonas dhe Institutit Nacional Arkeologjik me muze pranë Akademisë Bullgare të Shkencave nga Sofja, rezultoi me marrëveshje për dy ekspozita të mëdha dhe domethënëse, të cilat promovojnë kulturën dhe trashëgimia kulturore si vlerë themelore evropiane. Përveç ekspozitës “Thrakia e Argjendtë” në Shkup, në vitet në vijim është rënë dakord që trashëgimia e pasur kulturore arkeologjike e Maqedonisë së Veriut të prezantohet në Sofje.
Në takim u theksua se ekspozita “Thrakia e Argjendtë”, e cila përmban edhe argjendin unik thrak, paraqet mundësi të jashtëzakonshme për të parë gjetjet ekskluzive nga kultura thrake. Ekspozita u prezantua në disa qendra muzeore në Evropë dhe në botë, por në Shkup ekspozita është konceptuar si prezantimi më kompleks dhe më i gjerë i gjetjeve që përfaqësojnë kulturën dhe qytetërimin thrak.
Kostadinovska-Stojçevska dhe Krastev shprehën kënaqësinë për pritjen e shkëlqyer të publikut bullgar në ekspozitën “105 vjet Trebenishte”, e cila u hap para pak kohësh në Sofje.
Kjo ekspozitë e rëndësishme, e cila krijoi energji të re në muzeologjinë ballkanike, do të prezantohet në Muzeun Nacional të Serbisë në vitin 2025, pas së cilës ekspozita kushtuar Nekropolit të Trebenit do të vazhdojë rrugëtimin e saj nëpër muzetë më të rëndësishëm evropianë dhe botërorë.
Kostadinovska-Stojçevska, në takimin me kolegun e saj bullgar, shprehu kënaqësinë që dy ministritë kultivojnë prioritete të ngjashme në politikën e tyre kulturore, në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, si dhe inkurajimin e aktiviteteve të të rinjve. U evidentua mundësia e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të ndërlidhura në të dy vendet, nëpërmjet zbatimit të projekteve, kërkimeve, trajnimeve, shkëmbimit të ekspertëve/kuadrit deficit etj.
Kostadinovska-Stojçevska e informoi delegacionin se duke pasur parasysh se Maqedonia e Veriut kryeson procesin e bashkëpunimit në Evropën Juglindore, vitin e ardhshëm parashihet zbatimi i disa aktiviteteve, takimeve ministrore, të cilat do të trajtojnë çështje aktuale në sferën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.
Ministrat e kulturës përshëndetën punën e qendrave informative dhe kulturore në të dyja vendet dhe theksuan rolin e tyre aktiv në promovimin e kulturës maqedonase dhe bullgare në Shkup dhe Sofje.
U theksua edhe bashkëpunimi i shkëlqyer mes dy vendeve në fushën e veprimtarisë letrare, ku në bullgarisht janë përkthyer vepra të shumta të autorëve të njohur maqedonas me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë, si dhe bashkëpunimi në veprimtarinë teatrore është solid, në kuadër të të cilit institucionet nacionale dhe artistët nga të dy vendet prezantohen rregullisht në festivale dhe evente në të dy vendet.
Ministrat e Kulturës diskutuan edhe për bashkëpunimin e ardhshëm në kuadër të UNESCO-s, pas suksesit të përbashkët në regjistrimin e aplikacionit multinacional “Praktikat kulturore lidhur me 1 Marsin – Martinki”, dorëzuar nga Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Rumania dhe Moldavia, në Listën Përfaqësuese të UNESCO-s për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore jomateriale të njerëzimit.