Në Bibliotekën Nacionale dhe Universitare “Shën Klimenti i Ohrit” – Shkup, sot u mbajt konferenca “Shkup – Xhibelinë: e kaluara e përbashkët, mundësi të shumta në të ardhmen”.
Në konferencën e organizuar nga Ambasada e Italisë në Shkup, u diskutua për fatkeqësitë natyrore, përkatësisht tërmetet shkatërruese në Shkup në vitin 1963 dhe në Xhibelinë në vitin 1968, si dhe përgjigjet kulturore, artistike dhe arkitekturore ndaj këtyre ngjarjeve tragjike.
Zëvendës-ministri i Kulturës Daim Luçi në fjalimin e tij para të pranishmëve theksoi se sot po përkujtojmë të kaluarën, historinë dhe fatin e dy qyteteve Shkup – Maqedonia e Veriut dhe Xhibelinë – Itali, të cilat edhe pse të largëta gjeografikisht, i bashkon tragjedia dhe qëndrueshmëria.
“Por lidhja mes Shkupit dhe Xhibelinës nuk është vetëm në tragjeditë që mbijetuan, por edhe në fuqinë e rimëkëmbjes së tyre. Të dy qytetet e kanë kthyer të kaluarën e tyre të përbashkët në burim force, uniteti dhe frymëzimi. “Është solidariteti kolektiv dhe vendosmëria për rindërtimin e tyre që na frymëzon edhe sot”, theksoi zëvendës-ministri Luçi.
Ai shtoi se populli i Shkupit i bashkoi forcat pas tërmetit dhe filloi projekt ambicioz për rindërtim, duke parashikuar një Shkup të ri dhe bashkëkohor. Arkitektë, urbanistë dhe artistë nga e gjithë bota dhanë kontributin e tyre në krijimin dhe formësimin e identitetit të ri të qytetit kurse Shkupi u bë simbol i shpresës, solidaritetit dhe transformimit, u ngrit nga hiri dhe u shndërrua në drejtim bashkëkohor dhe kozmopolit.
“Ngjashëm si në Shkup, por vetëm pesë vite më vonë”, tha zëvendës-ministri, “një tragjedi ndodhi edhe në qytetin piktoresk të Xhibelinës në Itali”.
“Tragjedia ishte e madhe, por banorët nuk pranuan t’i nënshtroheshin dëshpërimit. Së bashku me artistë dhe arkitektë, të frymëzuar nga vizioni i së ardhmes, ata nisën udhëtim të ri të jashtëzakonshëm, duke projektuar Xhibelinë e Re, që është një tjetër konfirmim i fuqisë së qëndrueshmërisë dhe krijimtarisë njerëzore”, tha Luçi.
Në fund të fjalës së tij, Luçi theksoi se sot derisa mendojmë dhe diskutojmë për të kaluarën e përbashkët, duke u frymëzuar nga historitë e qëndrueshmërisë së Shkupit dhe Xhibelinës, duhet të mësojmë prej saj dhe të formojmë të ardhmen e re.