Pas një sëmundje të gjatë, në moshën 73-vjeçare, ka ndërruar jetë në Shkup kompozitori dhe dirigjenti Kire Kostov. Kohë të gjatë ka qenë anëtar i Lidhjes së Kompozitorëve të Maqedonisë.
Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska dërgoi telegram ngushëllimi familjes, e cila theksoi se Kire Kostov, i cili në jetën e tij arriti sukses në disa fusha të muzikës, la pas trashëgimi muzikore që është kujtim i qëndrueshëm i muzikës popullore bashkëkohore maqedonase.
“Kostov pas vetës la trashëgimi muzikore e cila për nga përmasat e saj është pothuajse në nivelin e krijimtarisë popullore. Manastiras i lindur, i cili në karrierën e tij të pasur pasuroi produksionin muzikor maqedonas me talentin e tij të shndritshëm dhe me sensin e tij për yje të ri, me vetëmohim krijoi plejadë interpretuesish që janë krenaria e zhanreve muzikore popullore”, thuhet në telegram.
Si përfaqësuesi i vetëm i ish-Jugosllavisë, ai mori pjesë në Big Bend-in e radiodifuzionit Evropian, i cili përbëhej me nga një instrumentist nga çdo vend evropian.
Ai është autor i pesëdhjetë kompozimeve në performancë orkestrale nga fusha e xhazit. Në fushën e muzikës popullore është autor i rreth 300 titujve, ndër të cilët “Fluturo pulëbardhë”, “Kur të ikësh”, “Sytë e tu bir”, “Biri i Zotit”, “Fshehtësia ime”, ” Iluzioni”, “Vetëm kujtime”, “Mos u bë i verbër” dhe shumë të tjera.
Ai ishte një nga themeluesit e festivalit për fëmijë dhe të rinj “Si-Do”, i cili u mbajt në Manastir nga viti 1991-2000. Nga ky festival dolën mbi dyqind këngë për fëmijë dhe të rinj, gjysma e të cilave u shpallën hite. Ka qenë drejtor artistik i “Interfest” – Manastir për muzikë popullore (1994-1996).
Kire Kostov është fitues i çmimeve të shumta dhe i njohur nga festivale të njohura brenda dhe jashtë vendit.