I.N Mbrëmjet strugane të poezisë do ta shënojnë me disa manifestime Ditën Botërore të Poezisë – 21 Mars.
Manifestimi kryesor, shpallja solemne e fituesve të çmimeve “Kurora e Artë” dhe “Urat e Strugës” për vitin 2024, do të mbahet sot me fillim nga ora 11:00 në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë në Shkup.
Pas shpalljes do të vijojë leximi tradicional i poezisë, në të cilin do të performojnë poetë të dalluar, anëtarë të PEN-qendrës maqedonase dhe do të lexohet letra poetike.
Me rastin e Ditës Botërore të Poezisë, në Shtëpinë Përkujtimore të “Vëllezërve Milladinov” në Strugë pasdite me fillim nga ora 18:30 do të organizohet lexim poetik.
Në kuadër të bashkëpunimit të mbrëmjeve strugane të poezisë me “Europe House” Strugë dhe për nder të Ditës Botërore të Poezisë, në ora 20:00 do të organizohet lexim poetik “Pulsi i poezisë”, në të cilin të rinjtë do të interpretojnë poetë nga Struga, Ohri, Vevçani, Shkupi dhe Kumanova, pasuar nga një performancë muzikore nga Pijan Sllavej.
Mbrëmjet strugane të poezisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, sivjet, me rastin e Ditës Botërore të Poezisë, për herë të parë shpallën konkurs për përzgjedhjen e poezisë më të mirë për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme. Gjithashtu, gjatë mësimit të gjuhës amtare, nxënësit do të njihen me rëndësinë e ditës së vendosur nga UNESCO në vitin 1999 dhe rëndësinë e poezisë si një nga artet më fisnike dhe sublime të fjalës së shkruar.