Në Shtëpinë e Kulturës “Biljana Beliçanec” mbrëmjen e djeshme, në mbrëmjen e fundit të festivalit, në prani të kineastëve, artistëve, aktorëve, regjisorëve të shumtë, përfaqësuesve të jetës politike dhe kulturore të vendit dhe përfaqësuesve të trupit diplomatik, u ndanë çmimet e edicionit të 9-të “Kinenova”.
“Grand Pri” shkoi për filmin “Gruaja vrasëse” të regjisores greke Eva Natena, e cila rrëmben në mënyrë origjinale çështjen gjinore, duke përshtatur për ekranin e madh kryevepër të letërsisë botërore me regji të shkëlqyer.
Çmimi për regjisorin më të mirë i takoi regjisorit kroat Andrej Korovljev për filmin “Hotel Pula”, për përdorimin e jashtëzakonshëm të gjuhës së filmit, për mënyrën delikate me të cilën tregoi ngjarjet dhe personazhet e vështira të luftës në ish-Jugosllavi, duke sugjeruar se dashuria mund të ekzistojë edhe në vende ku nuk do ta prisni kurrë.
Çmimi për skenarin më të mirë shkoi për Navid Mihandust për filmin “Kafe”.
“48 orë” e regjisorit iranian Azadeh Mousavi u vlerësua për filmin më të mirë të shkurtër.
Vendimet për ndarjen e çmimeve i ka bërë të ditur kryetari i jurisë, Jani Bojaxhi. Të pranishmit i përshëndetën drejtori i Festivalit, Nebojsha Jovanoviq, drejtori artistik Gena Teodosievska dhe përzgjedhësi i programit filmik, Igor Angellkov.
Festivali u mbyll me shfaqjen e filmit “Gjithçka do të përfundojë” të regjisorit Rajko Grliq ndërsa pas shfaqjes para publikut u prezantuan producentja Elena Stanisheva dhe aktori Janko Popoviq- Volariq.