Me leximin e “Pikëllim për jugun” të Konstandinit dhe ndezjen e zjarrit të festivalit, sonte në Strugë do të fillojë edicioni i 61-të i manifestimit poetik “Mbrëmjet Strugane të poezisë”. Për shkak të parashikimit të reshjeve të shiut, në vend të pllajës përballë Qendrës së Kulturës Vllezërit Miladinovci, ceremonia do të mbahet në tarracën e Hotel “Drim”.
Më herët, në mesditë, në Parkun e Poezisë do të mbillet një pemë për nder të fituesit të çmimit më të lartë të eventit, “Kurorës së Artë” për vitin 2022, poetit japonez Shuntaro Tanikava.
Laureati i këtij viti, siç është njoftuar nga drejtoria e Festivalit SVP, për shkak të moshës së shtyrë (91 vjeç) dhe rreziqeve shëndetësore, nuk do të jetë fizikisht i pranishëm dhe “Kurorën e Artë” do ta marrë i biri Kensaku Tanikava në emër të tij. Fituesi i “Kurorës së Artë” të vitit të kaluar, poeti izraelit Amir Or, do të jetë i ftuar special në këtë aktivitet.
Në manifestimin, i cili do të mbahet nën moton “Ritmi i vargut, ritmi i jetës”, është paralajmëruar prania e 24 poetëve nga jashtë dhe 30 nga vendi ynë.
– Programi përfshin homazhe përkujtimore për doajenin e poezisë maqedonase, Radovan Pavlovski, një mbrëmje të poezisë së grave kroate dhe promovimin e numrit special tematik të “Jeta letrare”, portret poetik i Shuntaro Tanikava, homazhe poetike për laureatin e SVP në vitin 2020, Amir Or, portretet e fituesve të çmimeve “Urat e Strugës” dhe “Vllezërit e Miladinovcit” për vitin 2022, si dhe më shumë lexime me poezi nga poetë vendas dhe të huaj, njoftoi institucioni kombëtar “Mbrëmjet Strugane të poezisë”.
Në kuadër të programit është paraparë promovimi i Antologjisë, Poezi dhe Muzikë, një përzgjedhje tematike me poezi të poetëve të shquar vendas dhe të huaj, me temë muzika.
Mbyllja ceremoniale e festivalit tradicionalisht do të jetë të dielën më 28 gusht në Urën e Poezisë me leximin poetik “Urat” dhe me ndarjen e çmimeve “Kurora e Artë” dhe “Urat e Strugës” që ndahen nga Mbrëmjet strugane të Poezisë dhe UNESCO për librin më të mirë debutues dhe “Vllezërit Miladinovci”.