Fakulteti i artit figurativ (FAF) në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, institucioni më i vjetër dhe më i njohur i arsimit të lartë dhe qendra për zhvillimin e arteve figurative dhe kulturës figurative në vendin tonë, këtë vit mbush 45 vjet nga themelimi i tij. Të gjitha aktivitetet deri në fund të vitit 2025 do të zhvillohen për nder të përvjetorit me datën zyrtare 31 mars.
Me atë rast, këtë javë, Fakulteti mban punëtorinë e rëndësishme me titull “Nga diagnostifikimi në konservim: Metoda të avancuara për analizën dhe pastrimin e veprave të artit” të dedikuar për studentët. Punëtoria treditore organizohet në bashkëpunim me Departamentin e Konservimit të Antikiteteve dhe Veprave të Artit, në Universitetin e Atikës Perëndimore (UNIWA), Athinë, Greqi. Punëtoria zhvillohet me mbështetjen e Erasmus + dhe UShKM.
Ngjarja qendrore dhe festimi zyrtar i 45 vjetorit është ekspozita retrospektive më 3 prill në Muzeun e Artit Bashkëkohor – Shkup. Me ekspozitën, Fakulteti i artit figurativ dhe Akademia e artit figurativ të Maqedonisë së bashku do të prezantojnë trashëgiminë e pasur dhe kontributin krijues të fakultetit në zhvillimin e skenës artistike maqedonase dhe rajonale, duke përfaqësuar simbolikisht vazhdimësinë dhe evoluimin e shprehjeve artistike që janë zhvilluar gjatë katër dekadave e gjysmë.