Në Galerinë e Qendrës Kulturore dhe Informative të Maqedonisë së Veriut në Sofje, Bullgari sot (18 korrik) në orën 18:30 do të hapet ekspozita e skulpturave me titull “Shkëlqimi i brendshëm” nga Aleksandra Bogoeska.
– Aleksandra në veprën e saj nxjerr në pah fort lidhjen e brendshme me natyrën si dhe ndjenjën e emocionit të fortë. Edhe pse në artin e saj, kryesisht bëhet fjalë për plastika në përmasa të vogla, Aleksandra me mjaft mjeshtëri arrin të paraqesë idenë e saj të skulpturës përmes tyre. Secila prej veprave të saj në konceptin e vet përmban lidhje të qartë dhe pandashmëri midis energjisë jetësore mashkullore dhe femërore. Ajo përdor skulpturën si hapësirë të pakufizuar për të shprehur veçantinë dhe individualitetin e saj. Lirisht mund të them se ajo është një artiste që i pëlqen të eksperimentojë përmes veprave të saj dhe me mjaft mjeshtëri e rrëmben atë që u përshkrua më lart pikërisht përmes shfaqjes së ndjenjave personale në përmbajtje të ndryshme tematike, është shprehur për ekspozitën Jana Janeska-Risteski, historiane e artit.
Aleksandra Bogoeska ka diplomuar në Fakultetin e Arteve në Shkup, dega skulpturë – konservim dhe restaurim. Ajo ka mbajtur ekspozita të pavarura dhe grupore, si dhe ka marrë pjesë në koloni të shumta të skulpturës dhe pikturës brenda dhe jashtë vendit.