Edicioni i tretë i festivalit të poezisë në Shkup do të mbahet në periudhën prej 24 deri më 28 shtator në disa lokacione të Shkupit, përkatësisht në Qendrën Kulturore Rinore – Shkup (kinemaja “Frosina”), në bibliotekën e qytetit “Braça Milladinovci” – Shkup dhe në kafe-librarinë “Bukva”.
Do të marrin pjesë poetë të huaj nga Danimarka, Malta, Franca/Siria, Kroacia dhe Serbia, si dhe do të marrin pjesë mbi 50 poetë vendas. Hapja zyrtare është caktuar më 27 shtator në ora 20:00 në QKR me manifestimin e quajtur “Ajër. Erë. Frymëmarrje.”
Në programin e festivalit përfshihen disa lexime poezish, si dhe promovime librash, ekspozitë të fotografive, do të shfaqen edhe disa filma poetikë, do të ketë koncerte muzikore, master-klas ose punëtori për shkrim kreativ të poezisë, panel diskutimi për të rritur dukshmërinë e letërsisë maqedonase jashtë vendit si dhe joga në natyrë me meditime poetike.
Edicioni i sivjetshëm i festivalit, ndër të tjera është mbështetur edhe nga Ministria e Kulturës dhe “Traduki”.