Me shfaqjen para-festivale të dokumentarit “Adio Jugofilm, adio Jugofestival, adio Jugosllavia… shihemi në luftën tjetër” të aktorit dhe regjisorit kroat Igor Gallo, sonte (me 29 gusht) në Kinotekë do të fillojë edicioni i tretë i festivalit të filmit memec dhe klasik. Regjisori Gallo do të jetë i ftuar në festival dhe para shfaqjes do të flasë për krijimet e tij, por edhe për temën e filmit të tij – historia e festivalit të filmit në Pulla.
Hapja zyrtare e festivalit do të jetë më 30 gusht me shfaqjen e filmit memec “Kallabaka: sekretet e Evropës së panjohur” të vitit 1928, i cili është raport kinematografik për një ekspeditë në Ballkan. Prezantimi filmik i këtij filmi do të plotësohet me performancën origjinale muzikore të duetit “Dobrilla dhe Dorian”.
Shfaqja e filmit “Kallabaka: sekretet e Evropës së panjohur” është në bashkëpunim me “Eye Filmmuseum” nga Amsterdami dhe në kuadër të këtij bashkëpunimi publiku do të mund të shikojë edhe filmin “Biografia e shkëlqyer: Fotografitë më të hershme lëvizëse të Evropës (1897 – 1902)” – përmbledhje filmash nga koleksioni më i madh i ruajtur “Mutoskop dhe biograf” në botë.
Festivali i filmit memec dhe klasik, i cili zhvillohet në kinotekë, do të zgjasë deri më 4 shtator të këtij viti dhe do të ofrojë shfaqje të jashtëzakonshme filmash të perlave të rralla të filmit dhe restaurime të reja filmike.
-Është veçanërisht e rëndësishme për ne që këtë vit, përveç Gallos, mysafire në festival do të jetë edhe Elif Rongen-Kajnakçi, udhëheqëse e filmave pa zë në “Eye Filmmuseum” nga Amsterdami. Ajo do të mbajë edhe dy punëtori–njëra për identifikimin e filmave pa zë, dhe tjetra për platformën për partiturat muzikore për filmat memec– “Eye Film Player” – të cilën Muzeu i filmit holandez i ka vënë së fundi në dispozicion të publikut, informojnë nga kinoteka.
Ata shtojnë se përveç këtyre shfaqjeve, falë bashkëpunimit me institutin “Gete” në Shkup, pjesë e programit të festivalit do të jetë edhe seria e filmave të regjisorit gjerman, Volker Shllondorf.
Nga depot e kinotekës kroate pranë Arkivit shtetëror të Kroacisë, publiku maqedonas do të mund të shikojë tre cikle filmash të shkurtër: filmat e animuar të prodhuar nga studio e filmit të animuar të “Zagreb Film”, dokumentarë dhe filma të metrazhit të shkurtër të autorëve kroat, si dhe ciklin e filmave memec të drejtuar nga pionieri kroat i filmit, Oktavijan Miletiq.
Në kuadër të këtij programi, i ftuar në festival do të jetë edhe Juraj Kukoç, arkivist filmi dhe kritik filmi nga Zagrebi.
Krahas këtyre cikleve, në festival do të shfaqen filma memec dhe klasikë nga arkivi i kinotekës. Shoqërimin muzikor të filmave pa zë do ta bëjë pianisti, editori dhe kompozitori maqedonas i xhazit, Gordan Spasovski.
Më 4 shtator, festivali do të mbyllet me shfaqjen e filmit të sapo-digjitalizuar “Memento” i vitit 1968 me regji të Dimitrie Osmanli, i cili këtë vit ishte pjesë e projektit “Sezoni i filmave klasik”, organizuar nga SHKE (Shoqata e Kinotekave Evropiane).