Sot në Ohër përfundon Konferenca e Dytë Ndërkombëtare treditore në kuadër të projektit “Tregime të rinjsh evropjanë”, organizuar nga shtëpia botuese “Çudna Shuma”.
Konferenca mbahet me moton “Thuaj PO për libër të mirë” (e cila është edhe motoja e të gjithë projektit “Tregime të rinjsh evropjanë”), ku pjesëmarrës, përveç “Çudna Shuma”, janë edhe partnerë-botues nga projekti: “Miteldojçer Ferlag” nga Gjermania, “Ibis Grafik” nga Kroacia, “Odiseja” nga Serbia dhe shtëpia botuese “Gavrosh” nga Maqedonia.
Në konferencën në Ohër, botuesit ndajnë përvojat nga puna e tyre dhe sfidat me të cilat ballafaqohen botuesit më të vegjël, cilësorë dhe jokomercialë në Evropë dhe më gjerë, si dhe nevojën për rrjetëzim, bashkëpunim të përbashkët dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në të ardhmen.
Theks i veçantë në konferencë u vu mbi mundësitë e përkthimit të veprave cilësore nga gjuhët më të vogla në tregjet letrare më të mëdha, si Gjermania, Italia, Franca, Spanja, Britania e Madhe…
“Tregime të rinjsh evropianë/ Young European Stories” është një projekt trevjeçar për përkthimin, botimin dhe promovimin e veprave letrare evropiane për fëmijë dhe të rinj.
Në kuadër të projektit do të përkthehen dhe botohen 14 vepra letrare për lexues të rinj të moshave të ndryshme, nga fëmijët parashkollorë deri te adoleshentët nga 16 deri në 19 vjeç. Librat do të përkthehen nga holandishtja, hungarishtja, kroatishtja, gjermanishtja, norvegjishtja, suedishtja, sllovenishtja, turqishtja dhe rumanishtja në gjuhën maqedonase, si dhe nga maqedonishtja në kroatisht dhe gjermanisht.
Projekti është i bashkëfinancuar nga programi “Evropa kreative” i Bashkimit Evropian dhe i përkrahur nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë.